Policia e Kosovës tha se ka konfirmuar mbi 80 kilogramë drogë gjatë një operacioni të zhvilluar të mërkurën dhe të enjten, kur u arrestuan edhe tre të dyshuar.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore”, u tha në njoftim.
Sipas njoftimit, në orën 23:00 të së mërkurës, afër pikëkalimit kufitar në Merdarë – që lidh Kosovën dhe Serbinë – është ndaluar i dyshuari H.S. që po drejtonte një kamion.
Gjatë kontrollit të mjetet, autoritetet thanë s gjetën 68 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 76 kilogramë e 800 gramësh.
Autoritetet thanë se hetimet për këtë rast, të koduar “Bregdeti”, kanë nisur disa muaj më parë, duke shtuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e H.S. janë gjetur edhe armë zjarri, fishekë, e para të gatshme.
Ndërkaq, sot ka vazhduar ky operacion, ku janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë në Godishnjak të Podujevës, ku u gjetën edhe katër paketime me substancë që dyshohet të jetë marihuanë me peshë prej 4 kilogramësh e 454 gramësh.
Policia tha se në bastisjes e së enjtes u gjet edhe një armë zjarri me gaz.
Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione kundër kultivimit apo shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike, duke sekuestruar sasi droge e duke arrestuar të dyshuar.
Shtatorin e vitit të kaluar u arrestuan shtatë persona që dyshoheshin për disa vepra penale, sikurse pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe pastrim të parave. Për këtë operacion, autoritetet kishin bashkëpunuar me Belgjikën, Francën, Holandën dhe Europol-in./REL
Komente






