PRISHTINË, 17 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Në ceremoninë e hapjes së "DokuFest", mbrëmjen e së shtunës në kinemanë e hapur Lumbardhi, mes pjesmarrësve të shumtë ishin edhe Presidentja e Repubilës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ministri i Kulturës i Kosovës, Memli Krasniqi dhe  personalitete të tjera nga bota e kulturës.
Sivjet, "DokuFest" hapet me "Everyday Rebellion" dhe mbyllet me shfaqjen e "20 feet from Stardom".
"DokuFest" në këtë edicion mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Kjo mbështetje është pjesë e marrëveshjes ndërkulturore të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës për një kalendar të përbashkët kulturor të dy vendeve.
"DokuFest" e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, në një kryeqytet filmi çdo verë./i.v//a.ke/