PRISHTINË - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka refuzuar kërkesën e Bllokut LAN, të cilët kanë kërkuar nga ajo që të dërgojë në interpretim pikën 127 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja në arsyetimin e saj, thotë se blloku duhet ta zgjidh vetë situatën e krijuar në vend.
Në letrën e refuzimit që e ka siguruar edhe Agjencia e Lajmeve KosovaPress, presidentja jep këtë shpjegim.
"Duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin kushtetues të Presidentes si faktor i unitetit të popullit, e vlerësoj kërkesën tuaj, por besoj se është detyrë, obligim dhe përgjegjësi e të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, si deputetë të zgjedhur të Kuvendit dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës të punoni së bashku për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme", thuhet ndër të tjera në letër.
Sipas saj "zgjidhja duhet të gjendet brenda parimeve të përcaktuara, për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, që do të punojnë në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe që do të përmbushin edhe pritjet e qytetarëve të vendit dhe gjithashtu edhe obligimet karshi bashkësisë ndërkombëtare".
"Nisur nga të gjitha këto kërkesa, besoj se është e domosdoshme që liderët e partive politike parlamentare të pajtohen që të mblidhen në një takim të përbashkët në Zyrën e Presidentes. Qëllimi i takimit do të jetë gjetja e zgjidhjes brenda këtij kuadri të përcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetutës dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës", thuhet në këtë letër./ATSH/