PRISHTINË, 25 Janar /ATSH-B.Jashari/.-Protesta e së shtunës në Prishtinë, me thirrjet "Jabllanoviç jashtë!" dhe "Trepça është e jona!" , sipas organizatorëve më e madhja në 16 vitet e pas luftës me rreth 30.000 pjesëmarrës, ku me grupet që nuk u shpërndanë pas përfundimit.  pati veprime të dhunshme, pritet të pasohet me zhvillime të tjera, ndërkohë që reagimet janë të ndryshme.
Bashkëorganizatorja, Lëvizja Vetëvendosje deklaron se, "ato që ndodhen jashtë marshit dhe skenarit për të cilin ishim dakorduar nuk janë pjesë e protestës", së zhvilluar  në Prishtinë.
"Një grup i vogël njerëzish në protestë nuk e kanë respektuar skenarin tonë dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat nuk pajtohemi. Po ashtu dënojmë ashpër dëmtimin e lokaleve private në shesh", thekson VV.
Gjithashtu, shtohet më tej, "duam të potencojmë që dy protestuesit e arrestuar nga Policia e Kosovës nuk janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje".
"Në protestën tonë të organizuar për sot ne i kemi dhënë ultimatum Isa Mustafës që brenda 48 orëve, pra deri në ora 16 të së hënës ta shkarkojë Jabllanoviçin dhe te sjellë në Kuvend Ligjin që e shndërron Trepçën në ndërmarrje të veçantë publike, për të cilën vendimet i merr Kuvendi i Republikës së Kosovës. Me këtë ultimatum ka përfunduar protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Thirrjet e Nënave", është thënë fillimisht në deklaratën e VV-së së Albin Kurtit, subjektit politik më të madh opozitar, më 16 deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i AAK-së, partisë së dytë opozitare me 11 deputetë, Ramush Haradinaj, ka shprehur "falënderim të veçantë për anëtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që iu përgjigjën masovikisht nga mbarë Kosova ftesës sonë për protestën e gjithëpopullore në Prishtinë".
"'Thirrjet e Nënave të Gjakovës', minatorët e Trepçës, organizatat e dala nga lufta, qytetarët nga çdo cep i Kosovës, rinia, studentët, dhe shumë OJQ i dhanë madhështi protestës, e cila me të drejtë cilësohet si më masovikja pas luftës", shton ai.
Sipas Haradinajt, "pakënaqësia po rritet, populli po bashkohet. Qeveria ka mbetur pakicë, dhe duhet ta kuptojë që pushteti nuk është i individëve, por i popullit".
Ndërsa, sipas kryetarit subjektit të tretë opozitar me 6 deputetetë, Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, "kjo pjesëmarrje masive e qytetarëve në kryeqytet dëshmon më së miri se sa të pakënaqur dhe të shqetësuar janë njerëzit me këtë qeverisje dhe zhivillimet aktuale politike, ekonomike e sociale në Kosovë".
"Ftoj edhe njëherë koalicionin qeveritar t'i marrë serozisht kërkesat e qytetarëve dhe shqetësimet e tyre dhe të mos tentojë që nëpërmjet mediave qeveritare të minimizojë apo t'u ikë shkaqeve të protestës duke tentuar që protestën masive paqësore ta lë nën hijen e një episodi të dhunshëm të një grupi të vogël njerëzish që ndodhi pasi protesta kishte përfunduar", shprehet Limaj. "Gjejë rastin të dënoj këto veprime të këtij grupi njerëzish", shton Limaj.
Ndërsa sipas medias, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, në emër të qeverisë e ka dënuar dhunën e ushtruar nga protestuesit ndaj institucionve të Kosovës.
Ai ka thënë se pamjet e djeshme përveç dëmëve material, e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës.
"Këto pamje nuk i duhen Kosovës", ka thënë ai.
Abrashi ka thënë se ministri për Kthim dhe Komunitet, Aleksandër Jabllanoviç, ka kërkuar falje për gjuhen fyese ndaj nënave gjakovare, ndërsa ka theskuar se kryeministri Mustafa prapë do të bisedojë  me të, dhe kjo çështje do të trajtohet në ditët në vijim.
Duke folur rreth zhvillimeve për gjigantin metalorgjik Trepça, Abrashi ka sqaruar se Trepça do të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe si e tillë do të trajtohet në Kuvendin e Kosovës.
Protesta e djeshme o organizua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shoqata "Thirrjet e Nënave" e familjeve të viktimave e të zhdukurve të luftës, "si reagim ndaj deklaratave të ministrit serb në qeverinë e Kosovës Aleksandar Jabllanoviç,  i cili protestueset shqiptare në Gjakovë i ka quajtur 'egërsira'" dhe pas zhvillimeve rreth Trepçës kur "qeveria që vetë e sponsorizoi Ligjin dhe thirri seancën e jashtëzakonshme, e tërhoqi të njëjtin Ligj për ta rikthyer në Kuvend me ndryshime thelbësore".
Policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotësjellës për të shpërndarë grupet që godisnin me gurë dhe demolonin ndërtesën e qeverisë, pas përfundimit të protestës me paralajmërimet e organizatorëve për vazhdim javën e ardhshme, të martë, nëse deri të hënë nuk plotësohen kërkesat për shkarkimin e minsitrit serb Jabllanoviç dhe  për Trepçën ndërmarrje publike të Kosovës.
/f.n/