PRISHTINË, 19 Nëntor /ATSH-B.Jashari/.- Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës sot pasdite, është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të datës 5 nëntor, me kërkesën e kryesuesit të Këshillit Organizativ për Ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini, ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. U bë e ditur se, Këshilli pas disa takimeve ka vendosur se datë më e përshtatshme për rivarrimin e eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini të jetë 16 janar 2015, dita e 99- vjetorit të rënies, që kjo të jetë një ngjarje në përputhje me jetën dhe veprën e tij.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen 5 nëntorit kishte marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini, që ajo të zhvillohej në 28 nëntor 2014 nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Në këtë këshill krahas nivelit shtetëror ka përfaqësues edhe nga Mitrovica dhe fshati Boletin- vendlindja e Isa Boletinit.
Pjesë e Këshillit Organizativ janë: Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku - kryesues, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi, zv/kryesues, përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit Edi Sejdiu, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme- Policisë së Kosovës, Naim Rexha, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Burim Susuri, kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, drejtori i Institutit të Historisë Sabit Syla, përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Jusuf Bajraktari, përfaqësuesi i familjes së Isë Boletinit, Gazmend Boletini. /a.ke/









