Qeveria e Albin Kurtit ka vendosur këtë mbrëmje t’i dërgojë Kuvendit vlerësimin për ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale, pak orë pasi kjo çështje u ngrit si në tryezën e bisedimeve për presidentin, ashtu edhe në protestën para Ministrisë së Drejtësisë. Pak orë më herët, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, doli nga takimi me Kurtin pa marrëveshje, duke këmbëngulur se ndryshimet në ligj duhet të miratohen përpara diskutimit për kreun e ri të shtetit.
Në mbledhjen e katërt, kabineti qeveritar miratoi vendimin për t’iu përgjigjur kërkesës së Kuvendit lidhur me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dokumentet përfshijnë analizën e përmbajtjes së propozimit, përputhjen me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe ndikimin në buxhet.
Kjo do të thotë se deputetët do të marrin vlerësimet e Qeverisë përpara se të vijojnë shqyrtimin e ligjit për Specialen.
Politikisht, çështja ka marrë peshë përtej debatit për këtë gjykatë. PDK-ja, e cila ka propozuar ndryshimet, e ka lidhur atë fort me bisedimet për presidentin. Pas takimit të sotëm, Hamza tha se për partinë e tij miratimi i ligjit është përparësi dhe se më pas është e hapur të diskutojë për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai la të hapur mundësinë e takimeve të tjera me Kurtin
Megjithatë, hapi i ndërmarrë sonte nuk përmbush ende plotësisht kërkesën e Hamzës për miratimin e ndryshimeve.
Kjo sepse propozimi prek funksionimin e gjykatës që ka selinë në Hagë. Sipas mediave në Kosovë, projektligji parashikon që krimet e luftës të gjykohen në Kosovë. Kjo e bën përmbajtjen e vlerësimit juridik veçanërisht të rëndësishme për të kuptuar se si Qeveria i sheh ndryshimet e kërkuara nga PDK-ja.
Më 26 shtator Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kërkoi kujdes për të shmangur gabimet, ndërsa për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së tha se ekipi i saj po përgatitej për betejën ligjore në Apel.
Sonte, kërkesa për ta çuar përpara ligjin mbërriti te dyert e ministrisë së saj. Në natën e 17-të të protestave, qytetarët marshuan nga sheshi kryesor i Prishtinës drejt Ministrisë së Drejtësisë, duke mbajtur pankarta “Jo në emrin tim”.
Organizatori Çlirim Haziri iu drejtua Gërvallës me kërkesën për të vepruar dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave.
“Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK-së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi derisa asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…”, deklaroi ai.
Para godinës, policia kishte formuar një kordon. Gjatë tubimit u hodhën mjete piroteknike, ndërsa Haziri u kërkoi pjesëmarrësve të mos i drejtonin ndaj policisë.
Protestat nisën pas vendimit të 16 shtatorit, me të cilin Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Dënimet janë dhënë në shkallën e parë dhe mund të kundërshtohen në Apel. Vlerësimi që Qeveria i përcjell Kuvendit për ndryshimin e ligjit nuk i ndryshon këto vendime gjyqësore.







Komente
Komento