/ATSH/.- Qytetarët kosovarë kanë mendime të ndryshme sa i përket arritjes së koalicionit të mbrëmshëm mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Disa qytetarë të anketuar nga KosovaPress thonë se ky koalicion i duhej vendit prej shumë kohësh, por të tjerët mendojnë se ky koalicion është i dëmshëm për shtetin.
Shpëtim Statovci mendon se ky koalicion mund ta çojë vendin përpara.
"Ky koalicion i duhej Kosovës. Me këtë koalicion mund të shkojmë përpara", tha ai.
Ndërsa Bekim Gashi shprehet se "ky koalicion është tradhti nga Isa Mustafa".
"Unë e vlerësoj shumë të dëmshëm dhe kjo është një tradhti prej LDK-së, prej Isa Mustafës. Se nuk mund të jetë ky koalicion i qëndrueshëm", theksoi Gashi.
Kurse, Selvije Zeneli, një qytetare tjetër thotë se e rëndësishme është që vendi të dalë nga kriza.
"Uroj t'iu shkojë mbarë, pasi u bë 6 muaj që nuk po formohet qeveria", deklaron ajo.
Por, ka edhe qytetarë që janë shprehur skeptikë me formimin e koalicionit PDK-LDK.
Adhurim Maka thotë se nuk ka vlerësim të qartë rreth këtij koalicioni, që tashmë pritet t'i formojë edhe institucionet.
Ndërsa, Tefik Avdurrahmani thotë se "ky koalicion duhej të ndodhte kohë më parë. Bashkimi i PDK-së me LDK-në duhet të ndodhte që përpara zgjedhjeve".
Këto mendime të qytetarëve kanë ardhur pas arritjes së koalicionit të mbrëmshëm mes PDK-së dhe LDK-së për nxjerrjen e vendit nga kriza politike pas zgjedhjeve të 8 qershorit, ku shumicën e votave e kishte marrë PDK-ja, por që nuk kishte vota të mjaftueshme në kuvend për t'i formuar institucionet e shtetit.








