PRISHTINE, 24 Dhjetor/ATSH/. - 14.5 milion euro do të jenë më shumë për barna në vitin 2015. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Financave, Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, i ka ndarë këto para nga kursimet buxhetore që i ka bërë në projektbuxhetin e vitit 2015, të cilat janë miratuar në tërësi, ben te ditur KosovaPress.
Në një njoftim për media, thuhet se Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kurseje 14.5 milionë euro, nga kategoritë: blerja e veturave për të gjitha agjencitë buxhetore; blerja e kompjuterëve / laptopëve, telefonave mobil, pajisjeve të tjera të ngjashme, si dhe nga disa projekte për të cilat nuk janë bërë përgatitjet e duhura për të filluar së zbatuari në vitin 2015.
"Kjo shumë prej 14.5 milionë euro, do të shpërndahet për rritjen e buxhetit për: blerjen e barnave esenciale, në përputhje me premtimin e Qeverisë për furnizim të plotë me barna esenciale; për trajtim shëndetësor jashtë institucioneve publike dhe një pjesë e madhe e kësaj shume do të dedikohet për pagesën e përvojës së punës për 0.5 për qind të pagës për çdo vit përvojë pune për të gjithë ata që marrin pagë nga buxheti shtetëror", thuhet në njoftim.
Përmes këtij njoftimi, ministria e Financave falënderon anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa për përkrahjen e plotë që i dha amendamenteve të prezantuara nga Qeveria e Kosovës./a.ke/









