PRISHTINË, 6 Tetor /ATSH-Behlul Jashari/.- Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryeparlamentarit, sot nuk ka patur ndonjë zhvillim të ri. Koalicioni parazgjedhor i PDK-së ka të drejtën për të zgjedhur sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të  26 gushtit, por jo edhe numrat, ndërsa koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma-VV, i ka numrat dhe kërkon mundësinë për të zgjedhur.
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, pas raundit të katërt të takimeve të veçanta me  liderët e partive politike parlamentare në 2 tetor, ka paralajmëruar edhe mundësinë e takimeve të tjera. "Liderët politikë duhet të ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues, që në rast të përafrimit të tyre, do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet tyre", u shpreh Jahjaga.
Deputetët e LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës kanë bërë një shkresë, me 62  nënshkrime të tyre për të vazhduar seancën e papërfunduar konstituive, në 9 tetor në orën 10:00, me të vetmen pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit. Por, deputetët e koalicionit parazgjedhor të PDK-së deklarojnë se nuk do të paraqiten në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit pa ftesën e kryesueses, Flora Brovinës.
Zgjedhja e kandidatit të koalicionit paszgjedhor, Isa Mustafës, për Kryetar Kuvendi, pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesja, më 17 korrik, me 65 vota pro dhe 18 abstenime, është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ndërsa më 18 shtator, në vazhdimin e seancës konstituive, kandidati i koalicionit parazgjedhor të PDK, Arsim Bajrami mori 44 vota  pro, të pamjafueshme për t'u zgjedhur pasi duhen së paku 61 vota.
Pas këtyre zhvillimeve, pritet që koalicioni paszgjedhor do të rezervohet nga zgjedhja e Isa Mustafës si kryetar Kuvendi, pa prezencën e grupit më të madh parlamentar, PDK-së./a.r//a.ke/