PRISHTINË - Në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, në vendkalimin Merdare, janë krijuar sot pasdite kolona automjetesh dhe radhë të gjata që kanë shkaktuar pritje deri në pesë orë.
Sipas njoftimit zyrtar dërguar nga Policia e Kosovës, pritjet në hyrje zgjasin nga 1 deri në 2 orë, ndërsa në dalje 3 deri në 5 orë.
Theksohet se nga ana e zyrtarëve policorë të Kosovës puna është duke u zhvilluar me kapacitet dhe intensitet të shtuar, ndërsa radhët e gjata janë duke u shkaktuar nga fluksi i madh i automjeteve në drejtim të Merdares dhe procedurat që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve përkatës nga ana e autoriteteve serbe.
Në venkalimin tjetër kufitar Kosovë-Serbi, tek Dheu i Bardhë, në hyrje nuk ka fare pritje, ndërsa në dalje kolona e automjeteve është vetëm rreth 100 metra me pritje të shkurtëra disa minutëshe.
Nuk raportohet për radhë të gjata në vendkalimet e tjera kufitare./ATSH/