Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Fadil Ismajli, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ku është biseduar per fuqizimin e bashkëpunimit dhe realizimin e marrëveshjeve mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani si dhe përgatitjen për marrëveshjet e ardhshme.

Takimi është zhvilluar në bazën e objektivave të implementimit që dalin nga nënshkrimi i marrëveshjes për tregun e përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri, bën të ditur Ministria në njoftimin e dërguar. Më këtë rast ministri Ismajli ka bërë të ditur se hapi i ardhshëm është formimi i grupeve teknike të ekspertëve të të dyja vendeve që do të jetë edhe shembulli i parë në Evropën Juglindore për tregun e përbashkët.

Ky bashkëpunim do të optimizoje dhe kurseje energjinë elektrike të të dyja vendeve dhe si i tillë do t'i eliminojë edhe barrierat e ndryshme administrative.

Në shtator kreu i MZHE-së, Fadil Ismajli së bashku me homologun e tij, Damian Gjiknuri do të zhvillojnë një takim, ku grupet teknike e të dyja vendeve do të fillojnë harmonizimin e kornizës ligjore e rregullative në mënyrë që epilogu i tërë këtij angazhimi të jetë një sistem i njëjtë apo edhe i përbashkët tarifor.

Po ashtu, në takim është diskutuar me theks në veçantë për fushën minerare për çka pritet shpejt të nënshkruhet një memorandum i bashkëpunimit në mes dyja vendeve. Fokusi në këtë fushë përfshinë zonat kufitare, ku bashkëpunimi i dyja vendeve do të sillte lehtësimin e proceduarve administrative në fushën e hulumtimit dhe eksploatimit, që nënkupton heqjen e barrierave që lidhen më këtë veprimtari për dyja vendet. /ATSH/