/ATSH/.- Dy komisionet për Arsim të Kosovës dhe Shqipërisë janë takuar sot për të diskutuar në lidhje me bashkëpunimet që këto dy shtete do të kenë në të ardhmen në fushën e arsimit.
Kryetari i komisionit parlamentar për Arsim i Kosovës, Nait Hasani, tha se ky takim është në vazhdën e takimeve të përbashkëta për një kurrikulë të përbashkët të arsimit fillor dhe parauniversitar.
Kryetari i Komisionit për Edukim dhe Mjete të Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Genc Pollo,  tha se "ky ishte një takim i frytshëm mes dy komisioneve duke shpresuar se edhe në të ardhmen do të takohen për të realizuar marrëveshjet që janë nënshkruar që nga viti 2006?.
Pollo tha se i vjen keq edhe për gjendjen në arsim në Luginën e Preshevës, ku sipas tij atje gjendja paraqitet e rëndë.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu, i cili tregoi se në Luginë ende mësohet me kurrikulën e vitit 1986.
Musliu kërkoi nga dy vendet që të ndihmohet arsimi shqip në Luginën e Preshevës.
Komisioni parlamentar i Arsimit të Shqipërisë po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë./KosovaPress/