Ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari-Lila ka vendosur të “bllokojë” hyrjen e çimentos së Shqipërisë në Kosovë. Sipas saj, kompanitë që e importojnë nga vendi ynë këtë mall, lëndë të parë të rëndësishme për sektorin e ndërtimit, duhet të paguajnë një tarifë prej 35% të vlerës së importuar dhe kjo bëhet për të mbrojtur prodhimin e vendit. Pra, është vendosur një normë tejet e lartë e çmimit të referencës, ashtu sikurse ministria shqiptare e Financave ka vendosur për pataten e prodhuar në Kosovë.
Kompania e vetme prodhuese e çimentos në Kosovë është “SharrCemi”, që është në pronësi të kompanisë greke “Titan”. Nga kjo masë më së shumti do të preket fabrika e çimentos e Fushë-Krujës, në pronësi të libanezëve, e cila ka dominuar deri tani tregun e Kosovës. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga Shqipëria gjatë vitit 2011 u importuan rreth 226.000 ton çimento, me vlerë rreth 14 milionë euro, duke bërë që ky mall të ndikojë ndjeshëm në vlerën e eksportit shqiptar në Kosovë. Ndërsa gjatë tremujorit të parë të vitit 2012 u importuan nga Shqipëria vetëm 102 ton çimento, si rezultat i kësaj mase.
Në mars të këtij viti, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar Maqedoninë e Shqipërinë se qeveria e Kosovës nuk do të rrijë duarkryq në rastet kur ato po vendosin barriera tarifore e jotarifore për prodhimet kosovare. Ajo ka paralajmëruar se do të përdorë masa të njëjta edhe për prodhuesit e vendeve që po i pengojnë eksportet e Kosovës. “Me politikën të cilën janë duke e udhëhequr po na shtyjnë që edhe ne të aplikojmë masat adekuate edhe ndaj prodhuesve të tyre”, ka thënë Kusari-Lila.
Me gjithë premtimet e shumta dhënë nga udhëheqësit e qeverive të dy vendeve, patatet e prodhuara në Kosovë po vazhdojnë të jenë jokonkurrente në Shqipëri për shkak të çmimit të referencës që po e aplikon ky shtet. Shqipëria prej shumë kohe aplikon çmim të lartë referencë për patatet e prodhuara në Kosovë. Ministrja ka thënë se kanë pasur një premtim nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, se aplikimi i çmimit referencë për patatet do të zvogëlohet në masë të madhe për Kosovën, krahasuar me shtetet e tjera, por asgjë nuk ka lëvizur realisht.
Qeveria e Kosovës mund të ankohet ndaj Shqipërisë në CEFTA (marrëveshja e tregtisë së lirë) për shkelje në aplikimin e çmimit të referencës për patatet. Por përveç paraqitjes në instancat më të larta rajonale, ministrja e Tregtisë ka përmendur edhe mundësinë që Kosova të vendosë çmime të referencës për prodhimet e Shqipërisë. Me sa duket, me rritjen e referencës për çimenton, Kosova ka vendosur ta bëjë realitet një kërcënim të tillë.
Sipas agjencisë Kosova News Network, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, mohon që këtë veprim e ka ndërmarrë me porosi të mikut të saj, Lekë Musa, i cili punon si këshilltar në fabrikën e çimentos të “SharrCem”-it. Të dy kanë punuar shumë kohë në Odën Ekonomike Amerikane. Ajo insiston se këtë e ka bërë në mbrojtje të prodhimeve të vendit dhe vendimi është i bazuar në ligj. Vlera e sasisë së importuar nga Shqipëria vjet në Kosovë ka qenë 14.5 milionë euro, nga e cila në buxhetin e Kosovës janë derdhur 2.3 milionë euro si pagesë TVSH-je për importin.
(sg/shqiptarja.com)