KOSOVË- Sot 27 vjet më parë, 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Në 27-vjetorin e sulmeve Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se ‘ky ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive’.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.

Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:00
27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s ndaj forcave serbe, Hoxha: Moment përcaktues në histori, Kosova vijon rrugëtimin e saj drejt familjes euro-atlantike

1774339796_ferithoxha.jpg

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka ndarë një postim në rrjetin X në kuadër të 27-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe duke kujtuar rëndësinë e këtij momenti historik.

Hoxha shprehet se ky veprim dëshmoi se bota e lirë s’do të qëndronte duarkryq, ndërsa Shqipëria, edhe pse vetë përballej me sfida ekonomike, hapi dyert për të mirëpritur refugjatët. Ministri vlerëson përparimin e Kosovës që tashmë është e lirë dhe e pavarur që sot vijon rrugëtimin drejt NATO-s. Gjithashtu ai thotë se Shqipëria sot është anëtare krenare e NATO-s, nderon viktimat, rezistencën ndaj shtypjes dhe ndihmën e partnerëve e aleatëve që bënë ndryshimin.

Njëzet e shtatë vjet më parë, bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente. NATO ndërmori Operacionin Allied Force për të ndalur fushatën brutale të dhunës dhe spastrimit etnik të ndërmarrë nga Slobodan Milošević kundër shqiptarëve në Kosovë. Ishte një moment përcaktues, kur dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën, kur përgjegjësia për të mbrojtur jetët e pafajshme tejkaloi hezitimin, dhe kur veprimi i përbashkët dëshmoi se bota e lirë nuk do të qëndronte duarkryq përballë mizorive masive.

Në atë moment vendimtar të historisë sonë, Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e saj pa asnjë hezitim. Pavarësisht sfidave të veta ekonomike, Shqipëria priti refugjatë dhe persona të zhvendosur në shtëpi, shkolla dhe komunitete. Të gjithë së bashku– institucionet dhe qytetarët kudo – u mobilizuan bashkarisht me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar strehim, ushqim dhe mbrojtje, në një akt të jashtëzakonshëm solidariteti, i cili reflektoi jo vetëm një përgjigje humanitare, por edhe një ndjenjë të thellë historie të përbashkët dhe identiteti të përbashkët.

Sot, Kosova është e lirë dhe e pavarur. Ajo qëndron si një dëshmi e gjallë e qëndresës, sakrificës dhe vullnetit të pathyeshëm të popullit të saj. Nga plagët e luftës deri te forcimi i institucioneve demokratike, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm, duke konsoliduar vendin e saj si një aktor i përgjegjshëm në rajon dhe kontribuues për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

Sot, Shqipëria qëndron si një anëtare krenare e NATO, Aleancës që ndali vdekjen dhe shkatërrimin dhe riktheu shpresën, dinjitetin dhe lirinë në Kosovë. Ne nderojmë viktimat. Ne kujtojmë guximin e atyre që qëndruan kundër shtypjes. Ne vlerësojmë rolin jetik të aleatëve dhe partnerëve që bënë ndryshimin në momentin më të rëndësishëm. Rruga e Kosovës vazhdon, me besim dhe vendosmëri, drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”, shkruan Hoxha.