/ATSH/.- Kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të kësaj legjislature, Flora Brovina, sot pritet të kërkojë vazhdimin e seancës konstituive.
Sipas KosovaPress, Brovina ka paralajmëruar se kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe se tashmë është e gatshme për ta thirrur pas marrëveshjes të arritur.
Tek presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një takim të përbashkët me kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, janë pajtuar në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak dhe në këtë takim prezent ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.
LDK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se posti i kryeministrit do t'i takojë këtij subjekti.
"Sipas marrëveshjes së arritur, LDK-së do t'i takojë posti i Kryeministrit të vendit, ndërsa postet ministrore do të ndahen në mënyrë të barabartë. Ndarja e posteve ministrore do të bëhet gjatë ditëve në vijim, bazuar në punën e grupeve të punës", thuhet në komunikatën e LDK-së.
I kandiduari deri vonë nga LDK, AAK dhe Nisma për kryeministër, Ramush Haradinaj ka reaguar rreth kësaj marrëveshje duke e quajtur si fatkeqësi për vendin dhe se të dyja shkollat e qeverisjes janë dëshmuar si të dështuara.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën dhe ish - kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, pak para se të kuptohet për këtë marrëveshje i ka thënë KosovaPress se është ndier i tradhtuar nga dy partnerët e tij të koalicionit Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.