Për të dytën ditë, nuk ka tym të bardhë nga takimi Kurti-Abdixhiku në Kosovë.
Krerët e Vetëvendosjes dhe LDK-së u takuan sërish këtë të mërkurë, por nuk u arrit një marrëveshje mes tyre për formimin e institucioneve e veçanërisht për çështjen e Presidentit. Vetë kryeministri në detyrë Kurti insiston se Kosovës i duhet një president konsensual jopartiak, ndërsa Abdixhiku thotë se president konsensual është ai që merr 80 vota të deputetëve.
Edhe ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj mendon se posti i Presidentit duhet t’i takojë opozitës. Haradinaj tha se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit tregoi se asnjë parti nuk mund të formojë institucionet e vetme. Ai shtoi se Vetëvendosja duhet të heqë dorë ose nga pozita e kryeministrit ose e presidentit.
Teksa LVV-ja dhe LDK-ja vijojnë përpjekjet për bisedime, të enjten e 6 gushtit pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë. Vetëvendosja i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por sfidë mbetet zgjedhja e pasuesit të Vjosa Osmanit. Pas konstituimit, deputetët kanë 60 ditë kohë për të zgjedhur një president, në të kundërtën vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.
Për zgjedhjen e presidentit nevojitet të paktën 80 deputetë, që Kurti nuk e realizon dot i vetëm, por me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila fitoi 18 vende në Kuvend, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri dhe zgjidhjen e ngërçit politik.





Komente
Komento