Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një takim me Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Foto: Flor Abazaj
PRISHTINË, 21 Janar /ATSH-B.Jashari/.-Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nesër fillon një vizitë zyrtare në Maqedoni.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Thaçi do të zhvillojë takime me udhëheqësit e institucioneve të Maqedonisë, me përfaqësuesit shqiptarë dhe të shoqërisë civile.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, me kryeministrin Nikola Gruevski dhe ministrin e Jashtëm, Nikola Poposki.
Në këto takime do të bisedohet për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, rajonal si dhe do të nënshkruhen disa marrëveshje bilaterale. Zëvendëskryeministri Thaçi, pasdite do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, për të vazhduar më pas vizitën në Tetovë, ku në takime të ndara do të pritet nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, heqjen e barrierave tregtare si dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave.
Po ashtu, do të bisedohet për projektet rajonale infrastrukturore, ku për Republikën e Kosovës interes i veçantë është përshpejtimi i hapave të ndërtimit të hekurudhës së korridorit të tetë Kërçovë - Strugë - Qafë Thanë. Vizita në Maqedoni vjen vetëm pak ditë pasi zëvendëskryeministri Thaçi zhvilloi vizita zyrtare në Shqipëri dhe Mal të Zi./i.v//a.ke/