Breshëri kallashnikovi autobusit me nxënës në Kosovë, vdesin shoferi dhe 2 të rinj, pista kryesore konflikti mes bizneseve! Përjashtohet akti terrorist për motive nacionaliste! Ministri i Brendshëm thirrje vrasësit: Dorëzohu sa më parë

KOSOVË- Ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e djeshme në Kosovë ka tronditur opinion publik në mbarë vendin. Tre persona mbetën të varë si pasojë e një sulmi me kallashnikov drejt një autobusi në Gjollan të Deçanit.Viktima mbetën dy nxënësit Ledion Hamzaj, 16 vjeç dhe Gentiana Mustafaj, 17 vjeç si edhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj. Një person tjetër mbeti i plagosur por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mediat kosovare shkruajnë se nxënësit po ktheheshin nga shkolla dhe këtë rrugë ata e bënin çdo ditë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetaj, ka dhënë detaje të reja për ngjarjen, ku theksoi se po hetohet në dy-tre pista. Ndërkohë, në të gjithë vendin po zhvillohen aksione për të bërë të mundur identifikimin e autorit dhe kapjen e tij.

“Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë. Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar por është herët të themi se kemi persona të dyshimtë”, tha Mehmeti.

Mehmeti shtoi se territorit i është bërë kontroll me qentë e policisë, por për shkak të reshjeve të shiut ka qenë e pamundur që të zbulohet diçka.

“Akutalisht kemi njësi të mjaftueshme, por në situata të tilla si kjo me shi, qentë nuk arrijnë ta nuhasin erën e armës apo diçka tjetër”, ka thënë ai.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje vrasësit të shoferit të autobusit dhe dy nxënësve mbrëmjen e kaluar në Gllogjan, që të dorëzohet sa më parë. Sakaq, në një konferencë për media ai i ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacione për krimin që ka ndodhur mbrëmë, të bashkëpunojë me policinë për të zbardhur ngjarjen.

Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani tha mbrëmjen e djeshme për Report Tv se autori ka qenë i vetëm, ndërsa përjashtoi mundësinë e një akti terrorist. Ndërsa gazetari nga Kosova Valon Bajrami pohoi për Report Tv se një pistë hetimi mund të jetë edhe konflikti i shoferit me shoferët e linjave të tjera.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 ku 8 persona ndodheshin në autobus i cili nga Gjakova po shkonte në drejtim të Deçanit, teksa një person u ka prerë rrugën duke qëlluar me breshëri kallashnikovë në drejtim të tyre. Shoferi i autobusit ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa dy nxënësit pasi mbërritën në spital.

1637997418_page.jpg

3 viktimat Gentjana Mustafaj,shoferi Gani Gjoka , Ledjon Hamzaj

1637997433_4680939219E548B7A26737ACCCAF65E6.jpeg

Autobusi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:26
Shoku i të riut që u vra në Kosovë: Ledioni më tregoi për problemin që kishin shoferët e autobusëve

1638045131_arlindbeka.JPG

Arlind Beka, shoku i Ledion Hamzajt i cili humbi jetën mbrëmjen e kaluar pas një sulmi me armë në Kosovë, ka treguar problemet që kishte shoferi i autobusit. Arlindi, tregon se Ledioni i ka thënë se shoferi ka debatuar një ditë me një shofer tjetër, në lidhje me pasagjerët.

“Na ka treguar për shoferët që ka pasur probleme diçka, një ditë duke ardhur prej Baballoqit, konflikt shpejtësie muj me thanë, janë shty njëri me tjetrin të dy autobusët, puna për m’i marrë udhëtarët”, rrëfen Arlind Beka për T7. 

Ora 16:29
Sulmi me armë në Deçan, ministri i Brendshëm thirrje vrasësit: Dorëzohu sa më parë

1638027488_XhelalSvecla1600x360.png

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje vrasësit të shoferit të autobusit dhe dy nxënësve mbrëmjen e kaluar në Gllogjan, që të dorëzohet sa më parë. Sakaq, në një konferencë për media ai i ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacione për krimin që ka ndodhur mbrëmë, të bashkëpunojë me policinë për të zbardhur ngjarjen.

“Unë jam kthy në Kosovë dhe kam ardhë drejt në Deçan për ta takuar policinë dhe prokurorët e rastit për t’i vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet për zbardhjen e rastit. Dua t’i bëj ftesë qytetatëve që për ç'do informacion t'i drejtohen prokurorisë dhe policisë në mënyrë që rasti të zbardhet sa më parë. Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai i rëndon të tjerët, ai që i ndihmon vrasësit implikohet në vepër penale. Sa më parë që dorëzohet aq më mirë për rrethin e tij dhe për qytetarët e Kosovës. Unë mund të garantoj se jemi të vendosur që të gjitha kapacitetet tona shtetërore janë në dispozicion të zbulimit të këtij rasti. Tash kemi informacione të ndryshme në rrugë të ndryshme të cilat policia e Kosovës është duke I trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista që po hetohen. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me prokurorinë speciale dhe prokurorinë e rastit, po ashtu kemi koordinim me AKI-në që rasti të zbulohet sa më parë dhe vrasësi të vihet para drejtësisë”, tha ai.

Ora 13:36
E dhimbshme/ I mbijetoi plumbave në sulmin me armë në Deçan, djali i plagosur zgjohet dhe kërkon shokët që s'ia dolën! Babai: I thashë jetojnë në parajsë

1638016741_1637955604Sequence0300105409Still040.jpg

Pas një ngjarje si nëpër filma, nxënësi i cili i shpëtoi ‘luftës’ me plumbat është zgjuar, ndërsa mendimi i parë ka shkuar për dy shokët e tij. Babai i nxënësit tregon se i prekur i tha djalit se tashmë shokët jetojnë në parajsë, duke iu referuar dy nxënësve që humbën jetën në sulmin tragjik me kallashnikov ndaj autobusit.

“Sot djali im u zgjua, por pa shoqen e shokët e tij që ishte ulur në autobus me ta. Më pyeti a kanë shpëtuar, u desh ti them se ata jetojnë në parajsë” shkruan babai i të plagosurit në Gllogjan.

Ora 13:07
Plumba autobusit në Deçan/ Gazetarja për Report Tv: Janë bastisur nga policia 3 shtëpi, disa persona të shoqëruar! Në Dukagjin e zbatojnë Kanunin

 

 

Gazetarja nga Kosova Nora Lutaj në një intervistë për Report Tv ka dhënë të tjera detaje në lidhje me atë që ka ndodhur në Kosovë mbrëmjen e djeshme.

Lutaj thotë se herët në mëngjes ka pasur një bastisje nga policia e Kosovës por nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë.

"Institucionet e drejtësisë janë tepër të rezervuara.  Është vërtetuar që ka qenë një person i maskuar që ka qëlluar.  Policia ka bastisur 3 shtëpi, deri më tani nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Janë intervistuar disa persona, por ky informacion ende nuk është dhënë.  Nuk besoj të ketë natyrë nacionaliste. Fshati është i populluar me shqiptarë. Njihet si një zonë që ende lexohet kanuni i Lekë Dukagjinit dhe e besojnë", tha ajo.

Ora 12:41
Tre të vrarë nga sulmi ndaj autobusit, përfaqësuesit e BE në Kosovë: Të shokuar, autori të vihet përpara drejtësisë

Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë kanë reaguar për sulmin me kallashnikov ndaj autobusit ku u shënuan tre viktima. BE dënon sulmin dhe bën thirrje që autori të vendoset përballë drejtësisë.

“Të shokuar dhe thellësisht të pikëlluar nga sulmi i neveritshëm drejt autobusit të nxënësve. Bashkimi Evropian në Kosovë shpreson se keqbërësi do të sillet shpejt para drejtësisë. Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne urojmë shërim të shpejt për të plagosurin”,thuhet në reagim.

 

Ora 11:35
Gazetari nga Kosova për Report Tv: Ngjarja e mbrëmshme, një nga më makabret! Ja pistat kryesore

 

Zekirja Shabani, gazetar nga Kosova, në një intervistë për Report Tv ka të tjera informacione për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Glloqan, ku është qëlluar me kallashnikov në drejtim të autobusit të linjës Gjakovë-Deçan.

Shabani e konsideron këtë ngjarje si një nga rastet më makabre të ndodhura në Kosovë. Sipas tij është përjashtuar mundësia që ngjarje të ketë motiv nacionalist.

"Është përjashtuar motivi që mund të ketë ndodhur për çështje terroriste. Dyshohet për pista të ndryshme, por ende nuk kemi një njoftim zyrtar.  Më e shpeshta që është përmendur është një konflikt për linjat e autobusëve. Ka dhe një pistë çështjeje hakmarrjeje por kjo është e vështirë se s'mund të qëllosh mbi një grup njerëzish se do të vrasësh një person.  Institucionet duhet të ishin në detyrë dhe duhet bërë më shumë për mbledhjen e armëve", tha ndër të tjera në lidhjen me Report Tv, gazetari nga Kosova Zekirja Shabani.

Ora 11:16
Kryetari i Komunës Deçan, për Report Tv: Tragjedi e vërtetë ajo që ndodhi, gjithçka për të vënë para drejtësisë autorët

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj thotë për Report Tv se autobusi i cili u përfshi nga një sulm kallashnikovi mbrëmjen e djeshme ishte një linjë e rregullt që transportonte nxënësit e shkollës. Ramosaj thotë se çdo ditë nxënësit ktheheshin me këtë linjë nga shkolla në Gjakova drejt Deçanit.

"Rasti më makabër që ka ndodhur në Deçan, duke përjashtuar luftën e vitit '98-'99. Askush nuk mund të spekulojë, ajo ç’ka ka ndodh është rasti më makabër. Sido që të jenë rrethanat, dy nxënës nuk jetojnë sot, një i plagosur në gjendje jashtë rreziku dhe shoferi i vdekur.

Nuk jemi të sigurt deri më tani përpos që jam në dijeni dhe u përcjell përkushtim që po bëjnë organet  e ligjit për zbardhjen e rastit në tërësi. Njerëzit kur tronditen në raste të veçanta ju shkon mendja nga më e keqja . Familjet nuk e kanë të qartë ca ka ndodh, kanë qenë duke prit fëmijën me iu kthy nga shkolla, kur është marrë informacion të gjithë kanë qenë të tronditur. Deçani nga qytet më të sigurta në Kosovë, pasi ka pak banorë dhe të gjithë njihen. Ky është një rast i papërjetuar më parë. Gjendja  e tyre është mirë, janë të traumatizuar, i kanë marrë në pyetje i kanë dhënë deklaratat e para.

Është linjë e rregullt e autobusë, nxënësit sa mbarojnë mësimin në Gjakovë përdorin këtë autobus për tu kthyer në Deçan por edhe në fshatra të tjerë përreth", tha Ramosaj për 'Report Tv.

Ora 11:10
Në Deçan u qëllua mbi autobusin me nxënës, reagon ambasada amerikane

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Kosovë mbrëmjen e djeshme ku u qëllua me kallashnikov në drejtim të një autobusi me nxënës për ambasadën amerikane në Prishtinë është tronditëse.

I ngarkuari me punë në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Nicholas Giacobbe u ka shprehur ngushëllime familjeve teksa shton se autoritetet po punojnë që autorët t’i sjellin shpejt para drejtësisë.

“I tronditur nga sulmi i dhunshëm ndaj studentëve në Gllogjan. Autoritetet po punojnë për të sjellë autorët shpejt para drejtësisë. Ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave dhe i uroj të lënduarve shërim të shpejtë”, ka shkruar ai

Ora 08:55
'Si mund të qëllohet mbi nxënësit?', gjyshi i nxënësit të plagosur në Deçan i tronditur: Ku të dyshojmë?

1637999773_Screenshot1.jpg

Një nxënës i plagosur nga sulmi me armë drejt autobusit në Deçan të Kosovës, mbrëmjen e djeshme, për fat të mirë u operua dhe e kaloi atë me sukses.

Gjyshi i të plagosurit, Musli Turkaj shprehet i tronditur nga ngjarja.

“Ai është nxënës i shkollës së mesme ekonomike në Gjakovë duke u kthyer ka ndodhur ngjarja. U shpreh ngushëllime të gjitha atyre familjeve që kanë humbur me të dashurit. Flianti ishte në operacion, sipas mjekësve operacioni është kryer me sukses, plumbin ia kanë heq që i ka mbet në këmbë, po ndihet mirë. Mjekët thanë se tash nuk ka problem. Nuk e dinë tani veç organet i dinë këtu punë….ka qenë një vajzë skaj tij, po thonë që e ndjera….nuk kemi si me pas ne dyshime, si mund të kemi dyshime kur gjuhet në nxënës”, tha ai për mediat.

Ora 08:25
‘Ëndrrat iu prenë në mes, kishte dëshirë të bëhej doktoreshë, rrëfimi prekës nga halla e 17-vjeçares që u vra nga sulmi në Deçan

1637998061_1637998026mustafaj.jpg

Ëndrra e saj më e madhe ishte të bëhej doktoreshë, kështu ka rrëfyer halla e 17-vjeçares së vrarë nga të shtënat me kallashnikov mbrëmjen e djeshme në autobusin në Deçan të Koosvës. Laureta Kosumi tregon se 17-vjeçarja po kthehej nga shkolla ndëra jeta iu pre në mes.

“Ka qenë 17-vjeçare shkonte shkollën e mjekësisë dhe ka qenë duke u kthyer nga shkolla. Ka qenë orari i shkollës dhe ky ka qenë orari që u kthyer çdo ditë me linjë të autobusit, sikurse e kanë gjithë nxënësit. Familjarët janë të shokuar, dhe është një gjendje shumë e rëndë në familje. Ajo asnjëherë nuk ka folur për ndonjë telash për tek linja e autobusit. Dëshira e saj ka qenë të jetë një doktoreshë në të ardhmen”, tregoi Kosumi për RTK.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur