PRISHTINË -Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do t'i dorëzojë  pajisje të teknologjisë së avancuar Agjencisë Kosovare të Forenzikës dhe Policisë së Kosovës në një ceremoni rasti që do të mbahet të enjten, 2 tetor, në objektin e Agjencisë së Forenzikës.
Ky donacion është mundësuar nga zyra Gjermane e Punëve të Jashtme dhe është pjesë e përkrahjes së vazhdueshme  të projektit të UNDP-së KOSSAC (Kosovo Small Arms Control) Strategjisë për Kontrollin dhe Grumbullimin e armëve të vogla dhe të lehta (SALW) posaçërisht në fushën e hetimit dhe gjurmimit të armëve.
Do të dorëzohen këto pajisje: Sistemi për gjetjen e plumbave/vaska balistike Agjencisë Kosovare të Forenzikës; Baza e gjurmimit të të dhënave BERT Policisë së Kosovës; dhe 08 licenca për shfrytëzimin e bazës së të dhënave Cart Win Pro - database për identifikimin e municionit Policisë së Kosovës.
Prezentë në ceremoni do të jenë Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, Shpend Maxhuni, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Blerim Olluri, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Forenzikës, Matthias Kiesler, zëvëndës udhëheqës i Misionit në Ambasadën Gjermane dhe Richard Lundgren, këshilltar në UNDP. /ATSH/