PRISHTINË, 6 prill /ATSH/.- Në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës po vijojnë reshjet e borës, ndërsa parashikohet një përmirësim i kushteve të motit vetëm gjatë ditëve të fundit të javës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon se masat e lagështa të ajrit të ardhura nga ana verilindore e kontinentit do të vazhdojnë të mbizotërojnë edhe për dy ditët e ardhshme.
Në këtë gjendje sinoptike do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu dhe dëbore në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore do të ketë vetëm reshje dëbore. Vlera minimale e temperaturës së ajrit do të lëvizë mes 1 e 2 gradë celsius, ndërsa maksimalja 4 deri 6 gradë celsius. Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, me shpejtësi 1-8 m/s.
Nga pasditja e ditës së mërkurë, Kosova do të ndikohet nga fushat anticiklonike, të cilat pritet të jenë të qëndrueshme dhe do të ndikojnë në ngritje të lehta të temperaturave maksimale. Ngritjet më të ndjeshme të temperaturave do të jenë nga dita e premte, ku temperatura maksimale pritet të arrijnë deri 18 gradë celsius në fundjavë./b.j//m.m/









