PRISHTINË, 3 Janar /ATSH-B. Jashari/.-Vendimi i fundit i Kuvendit të Kosovës në vitin 2014, në seancën e 29 dhjetorit në mbrëmje, pas miratimit të Buxhetit të Shtetit, ishte miratimi i propozimvendimit të Qeverisë për zgjatjen e periudhës kalimtare, nga 1 janari deri në 31 dhjetor 2015, për heqjen nga pagesa e TVSH-së për disa lëndë të para, prodhime dhe furnizime nga importi, të rëndësishme për zhvillimin e ekonomik të vendit.
Të njëjtën ditë, para seancës plenare të Kuvendit, Qeveria e Kosoves në mbledhjen e saj ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave për miratimin e vendimit për zgjatjen e periudhës kalimtare për lirimin nga pagesa e TVSH-së edhe për një vit për lëndë të para dhe makineri bujqësore; sistemin e ujitjes së tokave bujqësore; furnizimet e financuara nga donatorët nëmbështetje të projekteve humanitare, rindërtuese dhe integrimeve evropiane; dhe furnizimet e bëra për organizatat ndërkombëtare dhe ndër-qeveritare.
Vendimi u procedua menjëherë në Kuvendin e Kosovës për miratim përfundimtar.
Në Ministrinë e Financave theksojnë se ky vendim i qeverisë është i rëndësisë strategjike duke pasur parasysh rëndësinë që ka sektori i bujqësisë për ekonominë dhe të ardhurat e familjeve kosovare. Kosova llogaritet të ketë rreth 180,000 ferma aktive, me 60% të popullsisë që jeton në zonat rurale. Kontributi i sektorit të bujqësisë në Bruto Produktin Vendor është rreth 14%, ndërkaq 16% e eksporteve janë produkte bujqësore.
Ministria e Financave ka bërë vlerësimin e efekteve ekonomike dhe sociale të këtij vendimi, të cilat pritet të jenë pozitive pasi lirimet nga TVSH-ja për lëndë të para dhe makineri bujqësore ndikojnë pozitivisht në prodhimin vendor bujqësor. Kjo do të zëvendësojë importin e produkteve bujqësore, duke përmirësuar kështu deficitin e thellë tregtar të Kosovës.
Duke qenë një çështje urgjente dhe kaluar në procedurë të përshpejtuar, Buxheti i Shtetit 2015, me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin paraprak, u miratua brenda 2014-tës, edhe pse gjatë atij viti Kosova humbi shumë kohë duke mos qenë funksional Kuvendi 7 muaj nga vetëshpërndarja në seancën e jashtëzakonshme të 7 majit dhe duke mos u ndërtuar instituiconet deri gjysëm viti pas zgjedhjve parlamentare të 8 qershorit./k.s/










