PRISHTINË, 17 Dhjetor/ATSH/- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shpalli sot 18 janarin 2015 datë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Graçanicës.
Zgjedhjet pasojnë dorëheqjen e Branimir Stojanoviç nga posti i kryetarit të Komunës së Graçanicës pas emërimit të tij zv/kryeministër në qeverinë e re të Kosovës javën e kaluar.
Graçanica është komunë e re me shumicë serbe, afër Prishtinës, e themeluar sipas Paketës Ahtisaari në procesin e decentralizimit në Kosovë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar sot takime konsultative me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për përcaktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të komunës së Graçanicës, pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm.
Duke u bazuar në Ligjet e Republikës së Kosovës dhe pas shkresës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të pranuar në Zyrën e Presidentes si dhe pas konsultimeve me partitë politike, Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga mori vendim që zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Graçanicës të mbahen me datë 18 janar 2015.
Presidentja Jahjaga ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës t'i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Graçanicës, në përputhje me vendimin e Presidentes dhe ligjet në fuqi.
Presidentja Jahjaga fton qytetarët e Komunës së Graçanicës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur Kryetarin e Komunës. Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Graçanicës në zgjedhjet për Kryetar, do t'u jap atyre mundësinë që të ndihmojnë në ngritjen e mirëqenies dhe të përmirësojnë jetën e tyre, duke ndihmuar në integrimin sa më të shpejtë të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës./b.j/k.s/