PRISHTINË, 28 Janar /ATSH/.-Përfaqësuesi Special dhe Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, vizitoi sot Lëvizjen Vetëvendosje, ku u takua me Albin Kurtin dhe Visar Ymerin.
Sipas njoftimit të VV-së, në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike të ditëve të fundit në Kosovë, me theks të veçantë në protestat gjithëpopullore dhe dy kërkesat e këtyre protestave, shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviç dhe shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike.
Përfaqësuesit e Vetëvedosjes i treguan Përfaqësuesit të BE-së për qëndrimin tashmë të njohur publik karshi këtyre dy çështjeve: që Aleksandër Jabllanoviç duhet shkarkuar "për shkak të sulmeve të tij ndaj historisë së Kosovës, përmes mohimit të krimeve të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë në Kosovë, si dhe për shkak të konceptit politik që ai përfaqëson e i cili e do Serbinë sa më të fortë në Kosovë për ta bërë Kosovën sa më të dobët karshi Serbisë; Trepça duhet të shndërrohet në ndërmarrje të veçantë publike ku vendimmarrja përfundimtare për të do t'i takonte Kuvendit të Republikës, në mënyrë që ajo të vendoset në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve"./b.j//a.ke/







