Shteti i Kosovës ka arritur të krijojë një lloj paqeje në vend, por akoma ka shumë për t'u bërë në këtë drejtim. Komunitetet në Kosovë kanë më shumë nevojë të komunikojnë mes tyre dhe të njohin gjuhën e njëri tjetrit, sidomos të rinjtë. Sipas KosovaPress, këto përfundime u nxorën nga organizata humanitare "Caritas Kosova" dhe ambasadorë të ndryshëm që veprojnë në Kosovë e që janë të përfshirë në çështjen e paqes në vend. Kjo u diskutua në një takim të organizuar nga Caritas Kosova me qëllim, vlerësimin e procesit të paqes dhe pajtimit në Kosovë.

Sipas protagonistëve të këtij takimi, paqe nuk do të thotë vetëm mungesa e dhunës, por duhet shumë bashkëpunim e komunikim mes komuniteteve për të arritur paqen.
Sipas ambasadorit të Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, "në Kosovë, rrezik janë të rinjtë të cilët nuk e njohin njëri-tjetrin mes komunitetesh, duke thënë se kështu mund të shfaqen keqkuptime mes tyre".

Ai përmendi Bosnjën e Hercegovinën për mungesë të paqes brenda vendit, ku tha se shpreson që Kosova të mos të arrijë asnjëherë në një gjendje të tillë.
Edhe për ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Cliff, është me rëndësi që Kosova mos të ndjekë rrugën e Bosnje Hercegovinës.

Ai mendon se nëse flitet për pajtim dhe paqe, gjithsesi duhet të flitet edhe për gjuhë, sepse nuk do të arrihet komunikimi mes tyre. E siç thotë ai, nëse nuk ka komunikim nuk mund të zhvillohen iniciativat për pajtim dhe paqe.

"Ne e kemi një lloj paqeje në Kosovë, në kuptimin e mungesës së dhunës ushtarake, paraushtarake, pra nuk dua të them se kemi shkuar shumë me pajtim. Ambasada ime dhe shumë të tjerë në këtë sallë janë të përfshirë në iniciativa për të sjellë komunitetet bashkë, për të ndihmuar me procesin e pajtimit, por më duhet të them se ende kemi për të bërë një rrugëtim të gjatë", ka thënë ai.

Ambasadori britanik përmendi edhe bisedimet Prishtinë-Beograd, ku tha se për të krijuar paqe në të dy vendet, patjetër që duhet të bëhet normalizim i marrëdhënieve.
Ai tha se kushdo që do të jetë në krye të qeverisë së Kosovës, duhet të vazhdojë dialogun për normalizim të mardhënieve me Serbinë.

Ndërsa përfaqësues të qendrës së bamirësisë, Caritas Kosova, thanë se gjithmonë bëjnë përpjekje që të afrojë njerëzit mes tyre.

Drejtori i saj, Don Viktor Sopi tha se Caritas Kosova ka për qëllim të theksoj faktin se çdo njeri ka të drejtë të jetojë i lirë dhe se dinjiteti i secilit është i pacënueshëm

ATSH