/ATSH/- Për të arritur ngritjen e nivelit të cilësisë së arsimit në Kosovë, duhet të zhvillohet një kurikule e orientuar në zhvillimin e hulumtimit bazuar në rezultatet e të nxënit dhe mësimdhënies.
Kështu është thënë sot në konferencën përmbyllëse të projektit "Tempus" të iniciuar nga ËUS Kosova e të mbështetur nga partnerë tjerë relevantë gjegjësisht Universitete nga vende të ndryshme të Evropës. Qëllimi kryesorë i këtij projekti ka qenë hartimi i një udhëzuesi për mësimdhënien e bazuar në hulumtim dhe një udhëzues tjetër më praktik që tregon më shumë për zhvillimin e karrierës.
Në kuadër të këtij projekti pjesëmarrësit dhe participantët kanë pasur mundësinë të trajnohen më shumë për procesin e zhvillimit të kurrikulave të bazuara në nevojat e tregut të punës përmes vizitave studimore neper universitete të Evropës.
Iniciatori i këtij projekti, But Dedaj i cili është edhe profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës tha se ky projekt është një hap përpara dhe se Kosova duhet të krahasojë veten me universitetet evropiane në mënyrë që të ngrish cilësinë, sepse pak a shumë është në nivel të njëjtë me arsimin e të gjitha shteteve të rajonit.
Ai tha se janë dy komponentë kryesorë që kanë qenë të rëndësishëm në këtë projekt. Mbështetja e bartësve privat të arsimit të lartë në zhvillimin e kurrikulit dhe komponenti i dytë ka të bëjë me mësimdhënien e bazuar në hulumtim.
"Komponenta e parë kishte mujt me qenë mbështetja e bartësve privat të arsimit të lartë në Kosovë në zhvillimin e kurrikulit dhe definimin e të nxënit, rezultateve të pritshme në kurrikulë... Komponentja e dytë ka të bëjë me mësimdhënien e bazuar në hulumtim që poashtu është komponentë e cila është shumë trend i Evropës" ka thënë ai.
Ndërsa, bartësi kryesor i këtij projekti është vlerësuar Universiteti i Sazlburgut të Austrisë, i cili ka qenë mbështetës dhe partner kryesor.
Profesori Peter Eckl, përfaqësues nga zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se ky projekt është një projekt shumë i rëndësishëm, dhe prekë direkt përmirësimin e nivelit të arsimit në Kosovë.
Kurse, i pyetur se a është më e rëndësishme sjellja e cilësisë së universiteteve evropiane në Kosovë se sa rritja e numrit të studentëve që studiojnë jashtë, Eckl tha për KosovaPress se duan të pranojnë më shumë student nga Kosova.
"Është një pyetje e mirë. Por ajo varet nga Komuniteti Evropian dhe në rregullimet e tyre fatkeqësisht, ne gjithmonë kemi dëshirë të pranojmë kosovarët, dhe varet sigurisht edhe nga kualiteti i edukimit këtu" tha Eckl.
Ndërsa, Elviana Berani, nga Kolegji Universitar Pjetër Budi ka thënë se sektori privat i arsimit të lartë në Kosovë nuk ka mbështetje nga institucionet e Kosovës dhe se presin që në vitet e ardhme kjo gjendje të ndryshojë.
"Nuk ka pasur orientim të qartë dhe vizion se kah duhet të shkojë arsimi i lartë i Kosovës. Besoj që ky realitet i hidhur, kjo papunësi , migrim ma në fund ia ka hapë sytë edhe përfaqësuesve të institucioneve dhe besoj që do të fillojnë të reflektojnë pak më mirë,ku kanë gabuar në raport me sektorin privat të arsimit të lartë në Kosovë, dhe çka duhet të bëjnë" ka thënë Berani.
Në këtë projekt kanë qenë të përfshira Kolegjet Universitare të sektorit privat në Kosovë. Pjesëmarrësit në këto trajnime kanë qenë: Kolegjet AAB, Biznesi, Dardania, Dukagjini, ESLG, Fama, Iliria, Pjetër Budi, Tempulli, UBT, Universum, Victory dhe Akademia Evolucion. Partnerët kryesorë të projektit kanë qenë Universiteti i Salzburgut, Edinburghut, Kolegji Universitar iCork-ut dhe Universiteti i Bukureshtit./Kosovapress/