KOSOVË-Prishtina është tronditur ditën e sotme nga një breshëri kallashnikovi që është zbrazur mbi katër persona pas sherrit për motive pronësie mes dy familjeve që la dy viktima dhe dy të plagosur rëndë. Sherri ndodhi në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë mes familjeve Rafuna dhe Mehmeti.

Mediet ne Kosovë publikuan pamjet e personave të shtrirë në tokë pas breshërisë. Sipas të dhënave të dyshohet që konflikti ka ndodhur për cështje pronësie. Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar.

Fillimisht në spital në orën 17:00 ndërroi jetë Bashkim Mehmeti si pasojë e plagëve të rënda që mori, ndërsa në orën 19:15 u shënua viktima e dytë, M. Rafuna. Ndërkohë që në spital në gjendje të rëndë ndodhen dy persona, xhaxhai dhe nipi i tij, G.Rafuna dhe F. Rafuna.

Dy familjet Rafuna dhe Mehmeti kanë banuar në të njëjtën ndërtesë, në katin e parë u shpreh motra e njërit prej të plagosurve. Pronarë të pronës po sipas dëshmitarëve janë të dyja familjet Rafuna dhe Mehmeti. Sipas tyre, këto dy familje nuk kanë pasur probleme më herët, por dyshohet se konflikti për pronën ka çuar deri te ngjarja tragjike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:47
Të mbuluar nga gjaku dhe kallashnikovi te këmbët/ Pamje të reja nga masakra në Kosovë dhe historia e sherrit (VIDEO)

Mediat në Kosovë kanë publikuar pamje të reja nga masakra në Kosovë, teksa duken të shtrirë në tokë dhe të mbuluar nga gjaku personat që u qëlluan me breshëri. Por si nisi sherri? Dy familjet nga kryeqyteti, Rafuna dhe Mehmeti u konfliktuan për shkak të pronës. Historia nisi kur një zyrtar i kadastrës në Komunës së Prishtinës u caktoi kufirin dy familjeve, komshinj në lagjen e Spitalit.

“Familja Mehmeti ka vendosur disa blloqe në kufirin afër familjes Rafuna. Njëri prej anëtarëve të familjes Rafuna ka larguar me shqelm blloqet e vendosur duke thënë se “I ke vendosur në pjesën time”, ka treguar një dëshmitar për mediat.

Më pas familjarët e familjes Mehmeti e goditën fizikisht një anëtarë të Rafunës.  Ata iu kundërpërgjigjen me armë zjarri ku edhe mbeti i vrarë Bashkimi dhe tre të tjerë të plagosur. Miftar Mehmeti, Naim Mehmeti dhe një person i paidentifikuar  janë arrestuar nga Policia e Kosovës.


Ora 21:34
'Ik se ishte me kallash o shok, Allah, Allah'/ Pamje të reja nga masakra në Prishtinë

Dalin pamje të reja nga masakra sot pasdite në Prishtinë. Në video duket momenti kur të plagosurit janë të shtrirë në tokë pas breshërisë së kallashnikovit, ndërsa disa prej qytetarëve u kanë ardhur në ndihmë. Në një moment njëri nga qytetarët dëgjohet teksa thotë "Ishte me kallash o shok, ik andej. Allah, Allah!!!".

Ora 19:25
Rëndohet bilanci i masakrës në Prishtinë, vdes një tjetër i plagosur në spital


Shkon në dy numri i viktimave nga breshëria e kallashnikovit ditën e sotme në Prishtinë pas sherrit mes dy familjeve. Pas Bashkim Mehmetit, raportohet nga mediat në Kosovë se ka ndërruar jetë edhe M. Rafuna.

Ora 17:04
VIDEO/ Momenti kur autori qëllon 4 persona në Prishtinë