Kostot e banimit po varfërojnë gjermanët

Kostot e banimit po varfërojnë gjermanët

Rritja e vazhdueshme e çmimit të qirave në vitet e fundit e ka rënduar  gjithnjë e më shumë kuletën e gjermanëve. Por qirasë i shtohen edhe shpenzimet për ngrohjen dhe rrymën elektrike. Kjo gjendje bën që sidomos personat me të ardhura të ulta të arrijnë në limitet e tyre financiare. Sipas të dhënave të Shoqatës së Përgjithshme të Barazisë, (Paritätischer Gesamtverband) shumë njerëz në Gjermani shpenzojnë më shumë se një të tretën e të ardhurave të tyre vetëm për qiranë, disa madje më shumë se gjysmën.

Shoqata publikoi së fundmi një studim, në të cilin bëhet një përllogaritjeje e re të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave për të vlerësuar varfërinë në Gjermani. Për herë të parë aty merren parasysh e ardhura që u mbetet qytetarëve pas heqjes së kostove të apartamentit, ngrohjes dhe rrymës elektrike.

Konkluzioni: Nga varfëria për shkak të kostove të banimit janë të prekur 21,2% e popullsisë në Gjermani, që do të thotë 17,5 milionë vetë. "Po të merren në konsideratë kostot e banimit, do të dilte në pah një grup shtesë deri më tani i pa konsideruar prej 5,4 milionë vetësh që jetojnë nën kufirin e varfërisë", theksohet në studim.

Cilat janë grupet më të prekura?

Në studim janë analizuar edhe grupet më të prekura nga ky fenomen: 21,7 e qytetarëve me vështirësi sociale për shkak të kostove të banimit janë nga mosha 65 vjeç e lart.  Por edhe të rinjtë, sidomos ata nga mosha 18 deri në 25 vjeç janë në kufijtë e varfërisë. Kuota e varfërisë tek ky grup është në masën 31%. E lartë është kuota e varfërisë për shkak të kostove të banimit edhe tek familjet me një prind, 36%. Beqarët, sidomos ata në moshën e pensionit po ashtu janë mjaft të rrezikuar, kuota këtu është 41,7%.

Banimi po kthehet gjithnjë e më shumë në katalizator varfërie në Gjermani. Joachim Rock, drejtor i Shoqatës i shikon me sy kritik zhvillimet në tregun e imobiljeve në Gjermani. "Hendeku po bëhet gjithnjë e më i madh për shkak të rritjes së kostove të strehimit.” Shoqata e Përgjithshme e Barazisë në Gjermani bën thirrje për ndërtimin e gjithnjë e më shumë apartamenteve me bazë sociale. "Duhet një politikë me fokus shmangjen e varfërisë në Gjermani, paga të mira, sigurime sociale më të mira dhe një politikë strehimi që i mban qiratë të përballueshme," u shpreh Joachim Rock.

Në BE si i varfër apo "i rrezikuar nga përjashtimi social" konsiderohet një person që ka më pak se 60% të të ardhurave ekuivalente mesatare. Në Gjermani sipas Zyrës Federale të Statistikave të prekur nga varfëria janë rreth 12 milionë gjermanë, konkretisht çdo i shtati (14,3%)./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Barcelona turpërohet në shtëpi, Leganes e mposht 0-1! Kreu në rrezik

VIDEO/ Barcelona turpërohet në shtëpi, Leganes e mposht 0-1! Kreu në rrezik