Për sa i përket Shqipërisë, kreu i diplomacisë greke, pasi i është referuar diskutimeve të fundit në takimin treditor që kishte në Kretë me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, ka njoftuar se ato do të vazhdojnë përsëri rreth datës 20 Janar në qytetin e Korçës.
Ai ka theksuar se ekziston një shpresë dhe një frymë optimiste, se në këtë qytet do të përfundojnë çështjet e hapura midis dy vendeve, pasi të dyja palët kanë interes që ato të mos mbeten të përjetshme dhe një pengesë për fillimin e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
“Ne duam që të zgjidhim problemet që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, ose të konkretizojmë marrëveshjet e së kaluarës me kërkesat aktuale. Mendojmë që i gjithë ky proces të përfundojë në një Traktat të ri të Miqësisë Greqi-Shqipëri, ose në rinovimin e atij të vitit 1996, pasi ekziston përgatitje e lartë dhe dëshirë nga të dyja palët”, “Shpresoj se slogani, që thotë se ‘historia nuk duhet të jetë burgu ynë, por shkolla jonë’, të provohet në praktikë. Gjykimi ynë është se duam të zgjidhim problemet dhe më pas të jemi ura të fuqishme në ecurinë europiane të Shqipërisë në BE. Nuk na ndajnë probleme kaq të mprehta, saqë nuk mund t’i zgjidhim”, ka thënë Kotzias.
Komisioneri i BE
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE, Johannes Hahn ka prekur edhe çështjen e negociatave për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit. Hahn u shpreh i vendosur për të hapur negociatat sa me shpejt me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ai ka thënë se “BE nuk pranon një shtet që ka probleme me fqinjët. Ky është një mësim nga e shkuara dhe ne nuk e duam këtë. Serbia duhet të zgjidhë problemet me Kosovën”, – u shpreh Hahn.
Zyrtali i lartë i BE u shpreh i vendosur për të hapur negociatat sa me shpejt me Shqipërinë dhe Maqedoninë. “Bashkimi Europian ka shumë pak influencë në vendet e Ballkanit përpara hapjes së negociatave. Por do të kemi shumë influencë gjatë negociatave. Prandaj jam kaq i vendosur për të hapur negociatat sa me shpejt me Shqipërinë dhe Maqedoninë”- tha Hahn.
d.c./shqiptarja.com