Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, sqaron opinionin publik grek se në negociatat me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati nuk është diskutuar për çështjen Çame. Sipas kryediplomatit grek, çështja çame nuk ekziston për Athinën zyrtare. 

Nuk ekziston çëshja çame dhe sigurisht që nuk përbën pjesë në bisedimet mës dy palëve”, ka deklaruar ministri i jashtëm grek në letrën me të cilën i ka kthyer përgjigje pyetjeve që i kishte bërë në Parlament për informim rreth bisedimeve greko-shqiptare kreu i departamentit të politikës së jashtme të Nea Demokratia, Jiorgos Kumuntsakos. Deputeti i opozitës greke qe fokusuar më tepër në çështjen came në pyetjet e tij rreth bisedimeve Kotzias-Bushati.

Kotzias ka thënë se “bisedimet janë fokusuar në çështjet bilaterale, për të cilat ka pasur mosmarrëveshje në 70 vitet e fundit dhe besoj se ka pasur progres substancial drejt gjetjes së zgjdhjeve të qëndrueshme për të mirën e përbashkët të të dy vendeve dhe qytetarëve dhe në përputhje me rregullat dhe vlerat evropiane"

Po sot, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati u shpreh gjatë raportimit në komisionin për Politikën e Jashtme se çamët kanë të drejtë të kërkojnë pronat e tyre në Greqi, pas heqjes së Ligjit të Luftës, i cili ka qenë një prej pikave ku ka pasur dakordësi edhe në negociatat treditore në Korçë mes Bushatit dhe ministrit grek, Kotzias. 

"Heqja e ligjit të luftës ka në konsideratë edhe segmentin politik dhe atë ligjor si dhe pasojat që sjellin ato. Çdo shtetas që ka origjinë çame të gëzojë pronat. Ligji i luftës ekziston, për t’u hequr kërkon procedura të brendshme në Greqi, pasi Shqipëria me Greqinë nuk e ka, është e kundërta. Ka një angazhim konkret për ta hequr. Bëhet fjalë për tre kategori, pronat e shqiptarëve, të minoritarëve grekë me shtetësi shqiptare dhe për pronat e shtetit shqiptar"

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, ashtu si homologu i tij grek, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se Shqipëria dhe Greqia janë në prag të nënshkrimit të një dokumenti të ri partneriteti strategjik. Kryeministri theksoi se procesi i dialogut mes dy vendeve fqinje tashmë është futur në një hallkë të rëndësishme të zgjidhjes së çështjeve të vjetra, duke filluar me ligjin e luftës, marrëveshja për kufirin detar dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Greqi

Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh, në Kretë në nëntor 2017 dhe në qytetin e Korçës javën e kaluar për tre ditë me radhë. Një nga pikat e rëndësishme për të cilën është rënë dakord nga këto negociata, ka qenë shfuqizimi i Ligjit të Luftës i cili i hap rrugë qytetarëve me prejardhje çame që të kërkojnë pronat e tyre në Greqi. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com