Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në lidhje me konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit në Vlorë Sokol Ngresit.

Pasi ka shqyrtuar vendimin e KPK-së, Komisioneri Publik ka vlerësuar se referuar gjendjes së provave dhe fakteve të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe në konsideratë të juridiksionit rivlerësues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, subjekti i rivlerësimit, Sokol Ngresi nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 324, datë 11.12.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të vendosë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Sokol Ngresi.

Sokol Ngresi me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, u konfirmua në detyrë në dhjetor të muajit të kaluar. Aktualisht, Ngresi është kandidat për Gjykatën e Lartë në procesin që po zhvillohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.