“Detyra ime është të zbatoj ligjet e vendit tim, që janë shumë të mira. Unë i dëgjoj mendimet e miqve, por Shqipëria ka institucione demokratike, që janë larg së qëni të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to. Unë i dëgjoj me vëmendje miqtë, por kur bëjnë gjykatësin kushtetues apo gjykatësin e lartë u them se nuk respektojnë veten e tyre. Ky është një shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër apo të marrrë atributet e një shteti, sepse mënyra si funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është një mënyrë transparente, ndaj nuk mund të bëhet fjalë për asnjë variant tjetër përveçse atij që përcakton ligji i vendit. Në këtë kontekst garantoj se kam mbështetjen e plotë të qeverisë së SHBA-së, Britanisë, Francës e Gjermanisë. Respektin tim unë e kam shumë real, sepse ndihma e miqve ka qënë e jashtëzakonshme" theksoi Berisha, lidhur me çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që funksionon prej një muaji me katër anëtarë, pas dorëheqjeve të komisionerëve të propozuar nga opozita.
Berisha shtoi dhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të shkëlqyera dhe "nuk mund t'i lëndojë askush". "Këto marrëdhënie bazohen në disa parime që ndajmë së bashku dhe janë shumë të garantuara. Ato kanë një histori ndër më brilantet dhe emotivet, që me themelimin e shtetit shqiptar në vitet 20-të"- sqaroi Berisha.
Në fillim të bashkëbisedimit Berisha deklaroi se PD-ja ka fushatën më madhështore me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. “Kjo pjesëmarrje ka arsye", - shpjegoi ai. - " Ky është mandati në të cilin ne kemi bërë më shumë se kurrë për shqiptarët. Investimet më të mëdha. Së dyti, kjo është fushata zgjedhore e parë në karrierën time politike, në të cilën programi i saj materializohet para datës së zgjedhjeve. Zakonisht premtohet dhe zbatohen mbrapa. Shtyllat kryesore të tij janë në zbatim sot, janë në zbatim e sipër. Kemi investuar më shumë se kurrë”, - vërejti ai, duke shtuar se në qarkun e Elbasanit, po ndërtohet një infrastrukturë e re.
“Kemi ndërtuar qindra kilometra rrugë, por këto janë për periferinë. Nëse kthehemi në qendër, gjejmë tunelin, autostradën që përbën një vepër të madhe. Ne e bëmë ëndrrën realitet. Nuk është se nuk ka të meta, dobësi. Ka për të qortuar, por kurrë ndonjëherë njerëzit e mençur, nuk i kanë penguar degët të shohin trungjet. Njeriu në autobus po mbetet në autobus”,-theksoi Berisha.
MOORE, MIK REAL I SHQIPTARËVE
I pyetur në lidhje me vizitën e nesërme të Drejtorit për Europën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit Jonathan Moore, Berisha u shpreh se ai është një mik real i shqiptarëve. "Do të kem një takim shumë të mirë me z. Moore. Vizita e tij në Tiranë është një dëshmi e interesit për një Shqipëri që ecën drejt zhvillimit dhe afrimit me integrimin. Qeveria amerikane ka bërë gjithçka për integrimin tonë dhe statusin, duke bërë thirrje për votimin e tre ligjeve dhe po ashtu dhe zonja Klinton, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend" shtoi më tej ai. Bashkëbisedimi i kryeministrit Berisha me gazetarët e Elbasanit
STATUSI, BERISHA: RAMA MORI PENG VENDIN
Kryeministri Berisha tha se u plotësuan standartet për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, por ishte Rama ai që e mori peng vendin. “Na detyroi të shkojmë në referendum, një kosto që shkon 5-6 mln euro minimumi, që nuk është pak për taksapaguesit. Tani ndërroi qëndrim dhe unë thirra Parlamentin për t’i votuar. Ai mendon se shplan fytyrën me ujërat që krijoi vetë, me llumin. A ka gjë më absurde se t’i mohosh vendit tënd statusin?”,-tha Berisha, duke ftuar më tej socialistët të votojnë Amnistinë. Se çfarë impakti do të kishte për PD-në, miratimi i 3 ligjeve, Berisha u shpreh se së pari shmanget referendumi dhe kursehen miliona euro dhe së dyti, qeveria realizon një qëllim që e ka bërë apel çdo ditë në Parlament: “Të votojmë tri ligjet.”
REFORMAT FISKALE FRENUAN KRIZËN
Sa i takon situatës ekonomike në vend, kryeministri u shpreh se Shqipëria ishte vendi që i shpëtoi krizës. “Raportet e FMN, BERZH dhe BB e pohojnë këtë fakt. Reformat fiskale, ulja e taksave e bënë të mundur këtë”, - tha Berisha. Ai shtoi se papunësia në vendin tonë shënoi rënie me 0.5 për qind. Sot, sipas kryeministrit, norma është 12.8 për qind dhe qëllimi kryesor i qeverisë është rritja e punësimit.
BERISHA: RAMA KA KRIJUAR NJË SHQIPËRI JOREALE
Kryeministri tha se kreu i PS-së, Edi Rama ka krijuar një Shqipëri joreale me ato që thotë. “Ai ka krijuar Shqipërinë e autobusit, çdo gjë që ekziston e mohon. Mësuesit s’janë të lirë, shtypi s’është i lirë. Këtu asgjë s’është e lirë sipas tij”,-tha kryeministri, duke theksuar se e djathta mbështetet tek ato që ka bërë. Sipas tij, plani i të majtës për taksat është një mashtrim. “Kur ishte kryetar bashkie, i këputi bizneset e vogla, trefishoi taksat. Tani në autobusin mavi nuk sheh asgjë nga ato që ka bërë”,-tha Berisha.
BERISHA: 44, NUMRI I FITORES
Kryeministri tha se koalicioni i PD-së është më i gjeri në histori. Ai ftoi po ashtu të gjithë qytetarët të votojnë numrin 44, të votojnë PD-në. “Ne hyjmë në këto zgjedhje pa borxhe. Aleatët të bëjnë gjithçka për të marrë votat e tyre, por i ftoj të gjithë mbështetësit e PD-së të na votojnë. Këtë numër të mbarë, numër i fitores”,-tha ai.
GRAMSH, KRYEMINISTRI PRET SHIRITIN E PERURIIMIT TE RRUGES DRIZE - POROÇAN - GRAMSH
Nga Gramshi, teksa preu shiritin e rrugës së re Drizë-Poroçan-Gramsh, Kryeministri i vendit, Sali Berisha tha se qeveria ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë në këtë zonë, deri sa të asfaltohet edhe kilometri i fundit.
“Ata të cilët përpiqen t’ju mashtrojnë dhe t’ju thonë se Sali Berisha nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndërtuar rrugë, u them se ky është projekti më madhor. Kam gjykuar dhe gjykoj që qytetarët shqiptarë, kudo që jetojnë, duhet të jenë të barabartë dhe ju them se deri sa në çdo fshat të ketë rrugë, shkolla, energji, njëlloj si në lagjet e qytetit, unë do të vazhdoj me të gjitha energjitë e mia, të zbatoj këtë projekt.
U them zotërinjve që projekti nuk është vetëm rrugë, por është dhe shkolla dhe ne këtu kemi ndërtuar dhe rindërtuar 20 shkolla dhe kemi çuar internetin në çdo shkollë; kemi investuar në ujësjellësa e katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të funizuar 24 orë me ujë familjet tuaja”,- tha kryeministri.
Rruga në fjalë është një investim prej 331 milionë lekësh. Berisha e cilësoi një vepër tejet të rëndësishme për banorët e kësaj komune, pasi mundëson zhvillimin e të gjitha potencialeve.
Redaksia Online
(b.y/mag/sg/shqiptarja.com)