KQZ, pas shkarkimit të Muhos
jep dorëheqjen Denar Biba

TIRANE- KQZ shkon drejt krizës totale. Në mbrëmje, rreth orës 21.00 me një email nëpër redaksitë e gazetave dhe televizioneve, nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, njofton se jep dorëheqjen e parevokueshme nga detyra kushtetuese. Shkak: shkarkimi nga parlamenti një ditë më parë, i njërit prej anëtarëve të KQZ, i propozuar nga LSI, Ilirjan Muho.

“Kur mbrojtja institucionale e ligjore që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të garantuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e zv.kryetarit dhe anëtarit të KQZ”, shkruan Denar Biba në tekstin e tij të dorëheqjes, duke iu referuar shkarkimit të Ilirjan Muhos.

Në komunikimin e djeshëm në mbrëmje për A1Report, Denar Biba mohon që ky akt të ketë qenë nën presionin e ndonjë politikani. “E kam bërë me zemër, me dëshirën më të mirë. Eshtë vendim personal” thotë Biba duke dashur të mohojë ndonjë urdhër “partiak”. Por një zyrtar i lartë i së majtës, aleat në opozitë, tha dje për Shqiptarja.com, se “kriza do të shkojë deri në fund”, duke paralajmëruar kështu skenarë më negativë deri në presionin që gjërat të kthehen në realitetin kushtetues.

Në një farë mënyrë këtë e “paralajmëron” në tekstin e dorëheqjes edhe vetë Denar Biba: “Përfitoj nga rasti t’ju drejtohem bashkëqytetarëve të mi: mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet”. Kryetarja e KQZ, Lefterije Lleshi tha dje për shqiptarja.com se ajo u njoftua me anë të një sms në telefonin e saj personal për dorëheqjen e Denar Bibës. “Jam njoftuar nga Biba me mesazh dhe nesër (sot) do të dërgojmë në Kuvend kërkesën e KQZ për zëvendësimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha kryetarja e KQZ, në linjë telefonike.

ZHVILLIMET
Por si do të zgjidhet situata? Institucionalisht, pas kërkesës që kryetarja e KQZ do t’i bëjë parlamentit, duhet që ky i fundit të zgjedhë një tjetër anëtar. Të drejtën e
propozimit e ka Partia Socialiste. Sipas Kodit, do të duhet të bëhen dy propozime nga kjo forcë politike, ndërkohë që Parlamenti do të votojë vetëm
një kandidaturë.

Dje në korridoret e opozitës po flitej për bllokimin e punës së KQZ. Në rastin më flagrant që mund të “minonte” procesin, do të ishte që PS të mos bënte asnjë propozim, e kështu do të kishte një lloj bllokimi të punës, në pikën më kulmore dhe kur KQZ ka shumë detyra për organizimin e zgjedhjeve. Skenari që mund të ndodhë është se vetë maxhoranca, nën argumentin e mosprishjes së zgjedhjeve, do të propozojë vetë një kandidat, dhe sikurse zëvendësimin e Muhos me Klement Zguron ta vendosë atë me votat e veta.

Me këtë skenar nuk do të jetë dakord PS e LSI, duke e çuar në kolaps punën e KQZ dhe duke mos e konsideruar atë më si një institucion që mund të menaxhojë zgjedhjet. Këto zhvillime ndodhin kur në Tiranë gjendet zyrtari i lartë i DASH, e kur paralajmërimet e baroneshës Ashton të BE, dhe ambasadorëve të tjerë në Tiranë kanë qenë shumë të ashpra në ruajtjen e KQZ si institucion të pavarur.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Aerodromi i Gjirokastrës kthehet në qendër të turizmit sportiv