KQZ rendit Listën Serbe në fletëvotime, kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje

KQZ rendit Listën Serbe në fletëvotime, kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje

Foto ilustruese

Të hënën u hodh shorti për renditjen e partive politike në fletëvotimet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, në të cilën Lista Serbe do të ketë numrin 112.

Përfshirja e saj nxiti reagimin e lëvizjes Vetëvendosje, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.

Partia në pushtet këmbëngul se secili vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet t'i nënshtrohet votimit nga anëtarët e tij duke theksuar se në mungesë të votimit ky vendim është i paligjshëm.

Zëvendësministri i Drejtësisë, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu tha sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkeli sërish ligjin me përfshirjen e Listës Serbe në fletëvotim, pa e pritur përgjigjen e Panelit në ankesën e kësaj lëvizjeje.

“Në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Një zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i tha Zërit të Amerikës se ky mekanizëm ende nuk ka pranuar ndonjë ankesë zyrtare, duke theksuar se sapo të pranohet ankesa komisioni do ta shqyrtojë dhe do t’i përgjigjet.

Vëzhguesit e pavarur theksojnë se ky proces nuk do të ndryshojë asgjë në certifikimin e Listës Serbe.

Me 23 dhjetor dy anëtarë të Komisionit votuan për certifikimin e Listës Serbe, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mos certifikimin e saj dhe u ankua në Panelin Zgjedhor. Vendimi i panelit u vërtetua nga Gjykata e Lartë e Kosovës pas një ankese të Vetëvendosjes.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të dielën se për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Lista Serbe është kundërshtari thelbësor në zgjedhjet parlamentare duke e akuzuar atë se po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

Të shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën prej më shumë se dy milionë votuesve, ndërkaq sot njoftoi se fushata e zgjedhjeve në Kosovë pritet të fillojë të shtunën me 11 janar. /VOA/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Media greke: Dritan Rexhepi, shqiptari që ndërtoi kartelin e kokainës, nga ‘investitori’ grek në ‘Escobarin’ e ri të perandorisë së drogës

Media greke: Dritan Rexhepi, shqiptari që ndërtoi kartelin e kokainës, nga ‘investitori’ grek në ‘Escobarin’ e ri të perandorisë së drogës