TIRANË- Me katër vota pro dhe një kundër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit.  Pas këtij momenti, të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, do të kenë mundësi të marrin zyrtarisht mandatin duke u betuar para këshillave.

Ka qenë Klement Zguri i cili ka votuar kundër duke thënë se vota në KQZ duhet të krijonte një standard ligjor dhe jo të njëanshëm.

Ndërsa anëtari Denar Biba tha se më 30 qershor shqiptarët vendosën mes pazareve dhe kushtetutës.

Në shifrat zyrtare të publikuara nga KQZ, thuhet se në zgjedhjet lokale të 30 qershorit morën pjesë 811.727 votues, shifër kjo e cila lëviz me 0.1 përqind nga rezultati paraprak i dhënë në fillim të korrikut nga i njëjti institucion.

Në total aleanca e Partisë Socialiste me disa parti të vogla mori 716621 të reflektuara në 1555 mandate për këshillat bashkiakë.

 

Tabelat përmbledhëse

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:29
Zguri: Konflikti do të vazhdojë gjatë, kolegët t'i thërrasin vetëdijes ligjore

Kryetari i KQZ-së Klement Zguri e ka paralajmëruar votën e tij kundër rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit që para hedhjes së tij në votim. Ai tha se vota nuk është thjeshtë formale teksa shtoi se performanca e KQZ do të kthehet në standard pune në të ardhmen.

"Zgjedhjet nuk janë vetëm një moment ligjor por edhe një ngjarje politike. Brenda zgjedhjeve përfshihen të gjithë zhvillimet. Është një formalitet pasi vendimi i sotëm është shoqëruar paraprakisht me një sërë aktesh të tjera. këto zgjedhje janë shoqëruar nga një konflikt i madh politik. Besoj se konflikti do të vazhdojë edhe pas. Por ky nuk është problemi im. Problemi im është se me votën, kjo merr një rëndësi tjetër. Vota nuk kthehet thjesht formale. Problemi im është se përmes votës sonë kemi dhënë edhe një notë për sjelljen e KQZ. KQZ në këtë proces zgjedhor ndërmjet standardit ligjor dhe arbitraritetit, për fat të keq KQZ ka zgjedhur të dytën. Vota për këtë proces mbetet në dorë të KQZ. E kam të pamundur të jap një notë kaluese. Unë do të votoj kundër sepse unë dua që kjo përformancë të mos kthehet në standard pune në të ardhmen. Unë nuk bija dakord me shumicën dhe shpresoj që kolegët e mi t'i thërrasin vetëdijes ligjore", tha Zguri.

Ora 10:27
Shpallja e rezultatit të 30 qershorit/ Biba: Shqiptarët vendosën mes kushtetutës dhe pazareve

Anëtari i KQZ-së Denar Biba gjatë shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 30 qershorit deklaroi se në këtë ditë shqiptarët vendosën mes pazareve dhe kushtetutës.

"Shqipëria zgjodhi mes kushtetutës dhe pazareve. Kushtetuta iu mbivendos pazareve të vogla. Në këto zgjedhje ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër edhe personalisht kam ndjerë mbështetjen e partnerëve perëndimorë që e mbështetën Shqipërisë në këtë rrugëtim ku kryesorja është ndërtimi i shtetit", tha Biba.