Argumentimi i Ramës ka qënë i qartë: Përderisa të gjithë, ndërkombëtarë dhe konstitucionalistë kanë rënë dakord se është shkelur Kodi Zgjedhor dhe ligji për shkarkimin e Muhos si anëtar i KQZ, atëherë zgjidhja është kthimi në gjendjen e mëparshme të institucionit më të lartë zgjedhor, dhe vijimi i punës në zbatim të këtij ligji.
Por meqënëse këtë variant tashmë e kundërshton fort PD duke e cilësuar të papranueshëm, atëherë Rama ka hedhur propozimin e dytë, që është riformatimi i plotë i KQZ. Sipas këtij varianti kreu i PS ka sqaruar se përbërja e institucionit më të lartë zgjedhor do të ishte tre anëtarë mazhoranca, tre anëtarë opozita ndërsa anëtari i shtatë të zgjidhej me konsensus me shumicën e cilësuar prej 84 votash, që kurrsesi nuk do të ishte kryetarja aktuale Lefteri Lleshi.
Një kundërshti të tillë Rama e ka dhënë për faktin se Lleshi ka dhënë prova se zbaton vetëm urdhëra politikë duke thyer ligjin. Një variant i tillë shihet dhe nga ndërkombëtarët si më i pranueshmi që do të sillte rikthimin në KQZ të tre anëtarëve të opozitës të dorëhequr ndoshta por dhe zgjidhjen më të moderuar të krizës në KQZ dhe plotësimin e vendeve bosh të këtij institucioni që merret me zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërkohë që Berisha është dakord që PS të çojë tre emra në KQZ, pa prek kryetaren.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)