Gjysma e parë e vitit mbyllet me bilanc pozitiv sa i takon uljes së kredive me probleme në përqindje, por jo në vlerë. Edhe pse duket situatë paradoksale, në fakt kredia me probleme zbriti në 3.70% të totalit të huave të dhëna nga bankat, që është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Në raport me qershorin e vitit 2025 ulja e huasë së keqe rezulton me ulje prej 0.31%. Sa më shumë të rritet stoku i kredisë së dhënë për ekonominë, aq më i ulët është niveli i kredisë në përqindje.

KREDITË ME PROBLEME
Qershor 2025       4.01%
Qershor 2026       3.70%
Diferenca            -0.31%

Kurse në vlerë kredia e pashlyer në kohë nga qytetarët dhe biznese është në rritje, që tregon se kredimarrësit nuk po i paguajnë rregullisht këstet e tyre.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë në fund të qershorit stoku i kredisë për ekonomisë ishte 992.7 miliardë lekë (me kursin aktual rreth 9.2 mld euro), brenda këtij totali 36.7 miliardë lekë klasifikohet kredi me probleme.

Kurse vjet në qershor, stoku i kredisë ishte 893 miliardë lekë, prej së cilës 35.8 miliardë lekë ishte huaja me probleme. Praktikisht këtë vit kredia e keqe në vlerë është rritur me 900 milionë lekë.

Por përpos kësaj rritje në vlerë, bilancet e bankave konsiderohen të ‘shëndosha’ dhe të sigurta, nëse marrim si krahasim normat e kredive me probleme 1 dekadë më parë që arrinin deri në 25% të totalit të huave të dhëna.

RAPORTI STOKU I KREDISË-HUA ME PROBLEME

                               Stoku i kredisë             Kredia e keqe
Qershor 2025        893 mld lekë                 35.8 mld lekë
Qershor 2026        992.7 mld lekë              36.7 mld lekë
Diferenca             + 99.7 mld lekë             +0.9 mln lekë