Rritja e ofertës së parasë ka arritur në nivelet më të larta historike. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit nëntor 2025, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 14.5%, nga 5.8% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Agregati M2 është rritur me ritme dyshifrore që prej muajit mars 2025, ndërsa ka arritur nivelin maksimal prej 15.3% në shtator. Në periudhën tetor-nëntor, rritja është reduktuar lehtë në nivelin 14.5%.

Agregati monetar M2 përbëhet nga paraja jashtë bankave dhe depozitat bankare në Lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e agregatit M2 tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare.

Arsyet e rritjes së shpejtë të ofertës së parasë duket të jenë kryesisht kreditimi me ritme të larta i ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të frenuar forcimin e monedhës vendase.

Në nëntor 2025, vlera e portofolit të kredisë për ekonominë arriti në 925.2 miliardë lekë, me një rritje prej afërsisht 19 miliardë lekësh krahasuar me tetorin. Me bazë vjetore, kredia i shpejtoi ritmet dyshifrore të rritjes, me 12.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e portofolit po mbështetet në masën më të madhe te segmenti i individëve, me një rritje vjetore pranë nivelit të 19.8%. Ndërsa për bizneset rritja ngelet në nivele pak më të ulëta, me 9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Normat e ulëta të interesit, ecuria e mirë e ekonomisë reale dhe e bilanceve të sektorit bankar kanë mbështetur rritjen me ritme të shpejta të kredisë edhe gjatë vitit 2025.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka rritur më tej blerjet e valutës, në përpjekje për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52.2%.

Pavarësisht një injektimi më të madh të parasë në ekonomi, inflacioni ngelet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, inflacioni e mbylli vitin 2025 në nivelin 2.3%, në rritje të lehtë nga niveli 2.1% i një viti më parë./Monitor