TIRANË  -  Drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit, në mesazhet e tyre të ngushëllimit për vdekjen e nënkomisar Simon Gjetës, kishin sot një kryefjalë të përbashkët: Lufta ndaj krimit nuk do të ndalet.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta duke e cilësuar Gjetën një hero, thotë se lufta pa kompromis me kriminelët do të vazhdojë dhe shteti do të triumfojë për t’i garantuar rendin qytetarëve. Për të arritur këtë qëllim thotë Meta, dhe për të shmangur përsëritjen e të tilla ngjarjeve, duhet angazhimi i të gjithëve për të çuar para drejtësisë çdo shkelës të ligjit.
 
Presidenti i Republikës Bujar Nishani në mesazhin e tij të ngushëllimit është kujdesur t’i japë zemër efektivëve të policisë që ngjarje të tilla tronditëse të mos ndalin hovin e tyre në luftën e përditshme kundër krimit.
 
Me përulje e respekt para veprës së efektivit Simon Gjeta, Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se gjaku i dëshmorëve të Policisë së Shtetit do të plazmojë ndjenjën e lartë të detyrës dhe shpirtin e sakrificës të çdo shqiptari që ka veshur uniformën blu. Ndërsa ngushëllon familjarët dhe kolegët e nënkomisarit, kreu i qeverisë shpreh angazhimin “për t'i shkuar deri në fund përpjekjeve shtetndërtuese, në radhë të parë për sundimin e ligjit në Shqipëri”
 
“Kolegët e tu bënë drejtësi ndaj dorës kriminale që të mori jetën” – Kështu shkruan ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në një status në rrjetin social Facebook, duke ju referuar ekzekutimit të personit që i mori jetën në krye të detyrës efektivit Gjeta. “Prehu në paqe Simon! Të ndrittë shpirti përjetësisht!”, - shkruan Tahiri.
 
Një ngjarje e rëndë që na kujton edhe njëherë se sa e domosdoshme është mbështetja pa ekuivoke në luftën kundër krimit ordiner apo të organizuar dhe se sa esenciale është për moralin e forcave tona të policisë pastërtia e duarve politike që drejtojnë Policinë e Shtetit”, - tha Basha në reagimin e tij mbrëmjen e së shtunës.

Mesazh ngushëllimi i Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta
“Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta i shpreh dhimbjen e thellë dhe solidaritetin në këto momente të vështira familjes së Nënkomisar Simon Gjetës dhe të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit.

Lufta pa kompromis me kriminelët dhe shkelësit e ligjit ka heronjtë e saj dhe i tillë ishte dhe Simon Gjeta. Kjo luftë do të vazhdojë dhe shteti do të triumfojë përballë të keqes për t’i garantuar qytetarëve rendin publik dhe qetësinë në familjet e tyre.

Duhet të angazhohemi të gjithë për t’i prerë rrugën të keqes dhe është detyra jonë kryesore të çojmë përpara drejtësisë të gjithë kriminelët dhe shkelësit e ligjit që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Nënkomisar Simon Gjetës”.
 
Mesazh ngushëllimi i Presidentit Nishani
 “Të dashur anëtarë të familjes Gjeta! Lajmi i rëndë për ndarjen e parakohshme dhe tragjike nga jeta të komandantit të FNSH-së në Shkodër, duke rënë në krye të detyrës, është tejet i rëndë jo vetëm për ju, por edhe për të gjithë shqiptarët.
 
Në këto momente të dhimbshme, më lejoni që në emrin tim dhe të familjes sime si dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e pazëvendësueshme të Simonit tuaj të shtrenjtë.
 
Në cilësinë e Kreut të Shtetit duke dënuar ashpërsisht aktin gjakatar, u bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese që të punojnë pareshtur pavarësisht nga ngjarja e rëndë dhe tronditëse, në luftën e tyre të përditshme kundër krimit.
 
Prehu në paqe të përjetshme Komandant Simoni!”

 
Mesazh ngushëllimi i kryeministrit Rama
“Kryeministri Edi Rama u shpreh ngushëllimet më të ndjera nënës, vëllezërve dhe motrës, të dëshmorit të Policisë së Shtetit Simon Gjeta, rënë mbrëmë në fushën e luftës me krimin.

Arritjet e mëdha të Policisë së Shtetit në fushën e kësaj lufte pa asnjë tolerancë të shtetit me krimin, janë vepër e shqiptarëve të mirë si Simon Gjeta, emri i të cilit deri dje i panjohur mes mijëra të tjerëve nën uniformën blu, sot i bashkohet atyre që dhanë jetën në krye të detyrës.

Me bindjen e thellë se gjaku i dëshmorëve të Policisë së Shtetit do të plazmojë gjithnjë e më thellë ndjenjën e lartë të detyrës dhe shpirtin e sakrificës së çdo shqiptari e shqiptareje që është pjesë e trupës së rilindur të policisë, si edhe me angazhimin e palëkundshëm për t'i shkuar deri në fund përpjekjeve shtetndërtuese, në radhë të parë për sundimin e ligjit në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama përulet me respektin më të thellë përpara veprës së dëshmorit Simon Gjeta”.


Mesazh ngushëllimi i ministrit Tahiri
Prehu në paqe Simon! Të ndrittë shpirti përjetësisht! Kolegët e tu bënë drejtësi ndaj dorës kriminale që të mori jetën.

Mesazhi i ngushëllimit i liderit të opozitës Basha
Ngushëllime të ndjera për familjen e efektivit të Policisë, komandantit të FNSH-së në Shkodër, Simon Gjeta, për rënien e tij në krye të detyrës. Dua të shpreh mbështetjen totale ndaj efektivave të policisë së shtetit që vazhdojnë operacionin në Shkodër, dhe burrave e grave në uniformë anembanë Shqipërisë. Presim neutralizimin me çdo kusht e mjet të autorit të goditjes së forcave të policisë dhe vënien para drejtësisë dhe para ligjit me ashpërsinë me të madhe. Një ngjarje e rëndë që na kujton edhe njëherë se sa e domosdoshme është mbështetja pa ekuivoke në luftën kundër krimit ordiner apo të organizuar dhe se sa esenciale është për moralin e forcave tona të policisë pastërtia e duarve politike që drejtojnë Policinë e Shtetit. Në këtë moment, lutjet e mia janë për familjen e Simon Gjetës, për efektivët e policisë akoma në detyrë në këtë operacion dhe përkrahja ime e plotë shkon për çdo burrë dhe grua në uniformë të policisë së Shtetit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com
I