Ndahet nga jeta ish-futbollisti i njohur i ekipit të Flamurtarit dhe ekipit kombëtar Alfred Ziaji nga një sëmundje që e mundonte prej kohësh. Ziaji është larguar nga jeta dje në orët e para të mëngjesit duke u dorëzuar përballë sëmundjes së rëndë.

Alfred Ziaji është një nga personazhet më të njohur shqiptar në fushën e blertë si futbollist, por edhe jashtë saj i drejtues i rëndësishëm. Zijani e ka nisur dhe përfunduar karrierën te Flamurtari, ku ka qenë pjesë e një plejade të artë në vitet 80. Ai ka fituar një mori trofesh brenda vendit dhe ka përfaqësuar denjëshit atë jashtë. Së fundmi, Ziaji ishtë anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF dhe president i Federatës së Minifutbollit.

Alfred Ziaji u lind në 7 shkurt 1961 në Vlorë dhe u largua nga jeta në ditën e lindjes në 2013. Por si e kujtojnë miqtë Alfred Zijanin, ish kapiteni i ekipit të Flamurtarit në vitet 80’ Kreshnik Çipi rrëfen për “Shqiptarja.com’ disa nga momentet më të bukura që kanë kaluar së bashku me Ziajin. “Me Fredin jemi rritur si çuna lagjesh, ka qenë çapkën, gazmor, rebel si natyrë dhe kërkues në jetë. Bashkë kemi luajtur për 12 vite, dhe periudha më e bukur ishte kalimi në fazën e tretë në Kupat e Evropës kur u ndeshëm me Barcelonën.

Fredi ishte zemra e ekipit, aty i kishim sytë të gjithë në momentin që prekte topin. Për ne ishte si busull, ndërsa për Flamurtarin ishte emblema”. A keni menduar ndonjëherë largimin nga Shqipëria? Po, e kemi menduar disa herë. Fillimisht në prill të 81’ në Ballkaniadën e Jugosllavisë, por në fund Fredin nuk e grumbulluan me ekipin, pasi kishin frikë se mos largohej, pasi dy xhaxhallarët e tij ishin arratisur nga Shqipëria. Megjithatë në shtator të 85’ Në Finlandë e menduam seriozisht të arratiseshim.

Fredi ishte truri jonë i organizimit, u ulëm dhe biseduam gjatë planin për të mos kthyer në Shqipëri pas ndeshjes me Helsinkin. Ai ishte prinjësi jonë për gjithcka, por vendosëm që të mos e merrnim një iniciativë të tillë, pasi sistemi i vendosur në Shqipëri do të na persekotonte familjen. Më kujtohet një fjali e Fredit që tha ‘ne mund të ndërtojmë jetën tonë jashtë Shqiprisë shumë mirë, por familjarët do të përndiqen në mënyrat më mizore nga regjimi i Hoxhës” shprehet çipi. Por pas vitit 90’ çfarë ndodhi me Alfred Ziajin?

“ Kur u rrëzua sistemi komunist ne ishim në Vlorë, megjithatë, Fredi sapo e mori vesh la stërvitjen i pari dhe u nis në Tiranë duke firmosur peticionin për rrëzimin e regjimit. Më pas Fredi ishte pjesë e kryesisë së PD, por në 94’ u zhgënjye pasi nuk i duronte padrejtësisë dhe kaloi me Aleancën Demokratike. Megjithatë në vitet’ 2000 u rikthye sërish, por asnjëherë kur arriti aty ku pretendonte. U anashkalua nga postet drejtuese, pavarësisht se ishte një nga ata që sollën demokracinë në Shqipëri” përfundon Kreshnik Çipi.

* Në Foto Ekipi i Flamurtarit në vitet ‘80 (në rreth) Alfred Zijai