Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ la në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi sa i takon vijimit të mandatit të kryetarit të Bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari.
Kishte qenë pikërisht Lefetr Maliqi i cili prej vitesh kishte kërkuar në disa procese shkarkimin e Hajdarit për shkak të ligjit të dekriminalizimit, por kërkesat e tij nuk janë pranuar asnjëherë.
Hajdari u dënua përfundimisht me vendim të formës së prerë në korrik të 2024 me 6 muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, i konvertuar në shërbim prove.
Kryebashkiaku nuk kishte deklaruar një dënim të marrë 23 qershor të vitit 1999 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për hyrje në territorin grek pa leje, i konvertuar në masë riedukuese të “qortimit” për shkak të moshës, vetëm 17 vjeç.
Ky mosdeklarimi në formular i ka kushtuar një betejë të gjatë politike me opozitën, e cila prej më shumë se 3 vitesh kërkon t’i hiqet mandati, por vendimi i sotëm i KAS duket se përmbyll një betejë të gjatë ligjore.









Komente
Komento