POGRADEC - Kryetari Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi ka reaguar ditën e sotme në lidhje me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që akuzon atë se ka shkelur ligjin lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit dhe rregullimit në qytetin lindor, shkelje të cilat KLSH më datë 31 dhjetor 2012 ka kryer kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Shkëmbi.

Shkëmbi ka sqaruar se në 9 vite në krye të Bashkisë ai nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi, pasi është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë ai që ka kompetencën e plotë ligjore dhe që jep leje ndërtimi

“Kryetari i Bashkisë së Pogradecit nuk ka dhënë asnjë lejë ndërtimi në 9 vite të ushtrimit të funksionit të vet, por është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë ai që ka kompetencën e plotë ligjore dhe që jep leja ndërtimi, mbështetur në dokumentacionin e plotë, ligjor dhe pa asnjë mungesë në çdo dosje të paraqitur nga subjektet ndërtuese”, sqaron kreu i Bashkisë Pogradec.

Me tek ai vlerëson punën e ti në krye të Bashkisë së Pogradecit duke sqaruar se “Kam 9 vjet që drejtoj me sukses një nga Bashkitë me më shumë arritje ne vend, që e ka transformuar qytetin e Pogradecit nga një qytet të harruar, me liqen të ndotur e plazh të pistë, me parqe të zaptuara forcërisht, me ujëra të zeza mbi sipërfaqe e me mungesë uji të pijshëm dhe infrastrukture të rrënuar, me shkolla e kopshte në rrënim, me zhvillim të prapambetur të pamerituar edhe të turizmit dhe kulturës e sportit, në një qytet të dashur për të gjithë, me Liqen të pastër, kolektor e impiant pastrimi modern, ujë te pijshëm 24 orë, infrastrukturë shembullore, rruge, trotuare, shkolla, kopshte e çerdhe të rikonstruktuara, sheshe e parqe të çliruara e të mbrojtura, administrim shembullor i territorit, vepra arti, me zhvillim të artit dhe kulturës tradicionale. Këto nuk janë fjalë, por kjo provohet më së miri nga rreth 1800 intelektualë e figura të njohura nga mbarë kombi, që me shtëpitë e tyre në Pogradec, e kanë bërë atë qytetin e tyre të dytë të zemrës".

SQARIMI I PLOTE I KREU TE BASHKISE POGRADEC
Në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, pra në 31 Dhjetor, kur gjithkush përgatitej për të festuar ndërrimin e viteve, dhe unë së bashku me familjen time ishim po ashtu të ulur në tryezën e darkës solemne, nga zyrat e KLSH u shpërnda një email në të gjitha mediat, si një ” kartolinë urimi” për mua dhe disa nga punonjësit e Institucionit që unë drejtoj prej 9 vitesh. Moment më te mirë për të bërë zhurmë nuk kishte!

Moment më të përshtatshëm për të arritur qëllimin nuk kishte! Me këtë hap u finalizua ajo që përgatitej prej muajsh në korridoret e KLSH: që filloi 6 muaj më parë me një përpjekje për një “ Vendim për ..shfuqizim të pjesshëm dhe shtesë...” në aktin e kontrollit të mëparshëm ( një kopje e tij ndodhet në zyrën time ) me të njëjtin objektiv, por që për shkak të të kuptuarit që po shkelej ligji, nuk u kthye kurrë në vendim. Më tej, një grup prej 7 kontrollorësh zbarkuan për të rikontrolluar për herë të dytë për 7 vitet e kaluara aktivitetin e kontrolluar të Bashkisë që unë drejtoj. Hapëm dyert dhe i mirëpritëm, megjithëse në institucionin që drejtoj ndodhen 4 raporte ( akte administrative akoma në fuqi ! ) te po ketij Institucioni të nderuar që mbajnë firmën e dy ish drejtuesve te KLSH, të z. Kurcuku dhe më tej të z. Ceku, por edhe 2 raporte të kontrollit të ushtruar nga Prefektura Korcë, të gjitha këto me vlerësimë tepër pozitive për punën dhe funksionimin e Bashkisë së Pogradecit.

Nuk kam ndërmend të paraqes në këtë shkrim fakte apo të hyj në detaje për gjithcka është shkruar dhe thënë në media. Ato do t’i paraqes Bashkia Pogradec në institucionet përkatëse të drejtësisë, si pjesë e ankimimit dhe procedimit që do të paraqesim në ditën në vijim. Nuk dua as të replikoj me përfaqësuesit e KLSH sepse opinionet e mia u a kam përcjellë tashmë të paktën me 3 shkresa zyrtare, një takim në zyrën e Kryetarit të Nderuar të KLSH dhe në observacionet përkatëse po ashtu.

Por në respekt të publikut të gjërë, dashamirës ose jo ndaj meje dhe Institucionit që drejtoj si dhe me detyrimin ndaj bashkëqytetarëve të mi pogradecarë, më duhet të deklaroj me përgjegjësi të plotë morale e ligjore, se : Kryetari i Bashkisë së Pogradecit nuk ka dhënë asnjë lejë ndërtimi në 9 vite të ushtrimit të funksionit të vet, por është Këshilli i Rregullimit i Territorit i Bashkisë ai që ka kompetencën e plotë ligjore dhe që jep leja ndërtimi, mbështetur në dukumentacionin e plotë, ligjor dhe pa asnjë mungesë në cdo dosje të paraqitur nga subjektet ndërtuese. As për të ashtuquajturën ure-pistë publike në liqen, ( e theksoj me pronësi publike ! ) nuk është Kryetari i Bashkisë, por Këshilli Bashkiak me një vendim të vetin dhe Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë me një tjetër vendim, që e kanë miratuar atë.

As për kontributin e Bashkisë në hapjen dhe mbarëvajtjen e Filialit te Pogradecit të Universitetit publik F.S.Noli te Korcës, nuk ka asnjë vendim, asnje propozim, asnje urdher e asnje firmë të Kryetarit të Bashkisë askund, por ka vetëm një vendim të Qeverisë për Hapjen e Filialit, një Vendim të Këshillit të Bashkisë për Marveshjen me Universitetin F.S.Noli për hapjen e tij si dhe një vendim tjetër po të Këshillit të Bashkisë që miraton kontratën për përdorimin e një pjese të ambjenteve të Fondacionit Edu-Pro nga ana e Universitetit F.S.Noli.

Atëhere përse gjithë kjo zhurmë në media ? Kush është i interesuar për këtë zhurmë ? Kush është i interesuar për të hedhur baltë sa herë që afrohen fushata elektorale dhe pse ? Nuk e di se kush apo cilët janë ata, por besoj se une di arsyen : Kam 9 vjet që drejtoj me sukses një nga Bashkitë me më shumë arritje ne vend, që e ka transformuar qytetin e Pogradecit nga një qytet të haruar, me liqen të ndotur e plazh të pistë, me parqe të zaptuara forcërisht, me ujëra të zeza mbi siperfaqe e me mungesë uji të pijshëm dhe infrastrukture të rënuar, me shkolla e kopshte në rënim, me zhvillim të prapambetur të pamerituar edhe të turizmit dhe kulturës e sportit,... në një qytet të dashur për të gjithë, me Liqen të pastër, kolektor e impjant pastrimi modern, ujë te pijshëm 24 orë, infrastrukturë shembullore, rruge, trotuare, shkolla, kopshte e cerdhe të rikonstruktuara, sheshe e parqe të cliruara e të mbrojtura, administrim shëmbullor i territorit, vepra arti , me zhvillim të artit dhe kulturës tradicionale. Këto nuk janë fjalë, por kjo provohet më së miri nga rreth 1800 intelektualë e figura të njohura nga mbarë kombi, që me shtëpitë e tyre në Pogradec, e kanë bërë atë qytetin e tyre të dytë të zemrës.

Sigurisht që suksesi të siguron respekt dhe mbështetje, por edhe xhelozi dhe armiqësi. U jam mirënjohës të gjithë atyre që më mbështesin e inkurajojnë në punën time. Lavdi Zotit kam edhe armiq, të cilët edhe ata e shijojnë qytetin tim dhe prej aty shkruajnë e shpifin ! Kam fituar me ndershmëri tre fushata elektorale, duke dyfishuar diferencën tek mandati i dytë dhe duke trefishuar atë tek i treti ( përballë kandidatëve të tre partive të ndryshme ), megjithë vjedhjet e votave nga ana e kundërshtarëve, me gjithë presionet dhe blerjet e votave nga kandidatët e partive në pushtet. Sigurisht që kjo krijon xhelozi e armiqësi të natyrshmë, për shkak të ambicjeve personale të disave, apo edhe qëndrimeve të ndryshme politike të disa të tjerëve.

Në vitin 2007 jam përzgjedhur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për praktikat më të mira në qeverisjen vendore të Shqipërisë. Ne vitin 2008 kam fituar nje Cmim nderkombetar ne Milano për qeverisjen lokale. Në vitin 2010 jam fitues i anketës për personalitetet e vitit në revistën Klan. Po në 2010 jam zgjedhur Kryetar i Shoqates Për Autonomi Vendore e të zgjedhurve vendorë me rreth 160 kryetarë bashkish dhe Komunash me drejtues të majtë, dhe së fundmi sapo kam marë Cmimin e Turizmit 2012 për produktin më të mirë të ofruar nga Bashkia e Pogradecit. Jam anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit të Punës së Programit të PS për qeverisjen vendore.

Kam qënë, jam dhe do të jem një mbrojtës i zjarrtë i të drejtës së Autonomisë së Qeverisjes Vendore dhe denoncues i shkeljeve të vazhdueshme të saj. Kam qënë, jam dhe do të jem aktiv në politikë, në mbrojtje të interesave të qytetarëve të mi, të sipërmarjes, të shtresave ne nevojë, të rritjes së mirëqënies së bashkëqytetarëve të mi e më gjërë. Askush dhe asnjë përpjekje e cfarëdo lloji qoftë, nuk do mund të më ulë sado pak ritmin e punës sime dhe as të devijojë energjitë e mia edhe në këtë prag zgjedhjesh parlamentare që do të sjellin ndryshimin e madh,të merituar dhe të shumëpritur për cdo shqiptar.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)