Këtë të mërkurë po mbahet ceremonia përmbyllëse e Procesit të Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Kreu i KPA-së Sokol Çomo deklaroi se vettingu ishte një proces i vështirë, por i domosdoshëm për Shqipërinë. Çomo u shpreh se procesi mbyll tranzicionin e drejtësisë në vend.
“Ishte një përvojë e vështirë, dhe e dhimbshme. Ishte etapë që nuk ishte e lehtë për vendin tonë. Por kjo etapë ishte e nevojshme. Ne krijuam kushtet që sistemi i drejtësisë të funksionojë mbi themele më të forta. Sot po shënohet mbyllja e kapitullit të tranzicionit. Shqipëria po futet në shinat e duhura të demokracisë funksionale. Sfida jonë e përbashkët është që përjashtimi të mbetet përjashtim e normaliteti të jetë garancia se do ketë drejtësi për qytetarët.
Dua të falënderoj të gjithë ata që dhanë kontribut në procesin e vettingut. Një mirënjohje e veçantë i takon partnerëve tanë ndërkombëtarë, sepse ka qenë një partneritet i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. Një falënderim i shkon edhe ONM-së. Qëllimi ka qenë i përbashkët: forcimi i drejtësisë shqiptare”, tha Çomo.
Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Shqipëri gjatë fjalës së tij theksoi se vetingu kërkoi guxim politik dhe angazhim personal të gjithë atyre që besuan se shteti i së drejtës duhet të qëndrojë në qendër të së ardhmes së Shqipërisë.
“9 vite më parë Shqipëria nisi një rrugëtim reforme në drejtësi, që ishte i paprecedentë për nga shtrirja, kompleksiteti dhe ambicia. Vetingu kërkoi guxim politik dhe angazhim personal të gjithë atyre që besuan se shteti i së drejtës duhet të qëndrojë në qendër të së ardhmes së Shqipërisë. Sot mund të themi se vetingu ka sjellë rezultate të prekshme dhe historike. Askush nuk është mbi përgjegjësinë dhe llogaridhënien dhe se pavarësia e gjyqësorit duhet të ecën krah për krah me etikën profesionale. Kjo nuk përbën fundin e reformës, por shënon nisjen enjë faze të re, ajo që vjen më pas është provë dhe më e vështirë që këto rritje të jenë të qëndrueshme në kohë. Standardet që vendosen duhet të mbeten dhe të zbatohen, verifikimi i pasurisë, kontrolli i integritet të vazhdojnë të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme, jo më përmes një mekanizmi të posaçëm, por përmes punës së institucioneve. ILD vazhdon të ushtrojë rolin e hetimeve për sjelljet e papërshtatshme”, tha ai.
Ndërkohë përfaqësuesja e KE-së tha se kjo është reforma me ambicioze e zbatuar ndonjëherë nga një vend kandidat i BE-së.
lajm ne perditesim...
Zëvendës kryeministrja Albana Koçiu theksoi gjatë fjalës së se me vettingun, drejtësia është bërë më e besueshme.
“E zgjodhëm një rrugë jo të lehtë. E zgjodhëm këtë rrugë jo për të ndryshuar një emër me një tjetër, por për të vendosur parimin se toga nuk është mburojë dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Procesi ka qenë i vështirë, ka sjellë vonesa dhe debate të forta publike e ka pasur kosto reale. Por kosto e mosveprimit do ishte më e madhe.
Sistemi i drejtësisë ka ndryshuar. Shqipëria ka një arkitekturë të re kushtetuese. Në emër të qeverisë shqiptare shpreh mirënjohje për të gjithë ata që mbajtën mbi supe këtë proces. Qëlimi ishte një drejtësi e pavarur që nuk merr parasysh se kush është individi që gjykohet. Duhet ta ruajmë standardin e ri të drejtësisë. Reforma në drejtësi është gur themeli për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Koçiu.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi në fjalën e tij gjatë konferencës e cilësoi vetingun si një proces domethënës për Shqipërinë. Ai shtoi se vettingu ndihmon procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Sot përmbyllet një kapitull që do të mbahet mend për ndërhyrjet që shteti ka ndërmarrë. 10 vite më parë Shqipëria mori një rrugë që shumë pak shtete e ndërmorën.
Ishte një reformë epokale. Shqipëria sot është më afër se kurrë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria e 2026 padyshim që nuk është ajo që ishte më 2016. Përgjegjësia e Kuvendit mbetet historike.
Reforma në drejtësi ishte zgjedhje për të pasur institucione më të forta. Po mbyllim një rrugëtim, por nuk do mbyllet kurrë rruga për të ruajtur me përgjegjësi atë që kemi ndërtuar. Nuk ka dhuratë më të çmuar për gjeneratat që do të vijnë – institucione të forta”, tha Peleshi
Komente










