TIRANE - Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon, planifikon një vizitë në vendet ballkanike. Burime nga Nju Jorku kanë thënë për gazetat kosovare se sekretari i Përgjithshëm planifikon të qëndrojë në Ballkan për një javë rresht, nga 19 deri më 26 korrik. Në kuadër të saj, sipas burimeve, Ban do të qëndrojë edhe në Kosovë, më 24 korrik, sipas “Koha Ditore”. Vizitën tani për tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm. “Për momentin nuk mund të themi asgjë rreth kësaj”, i ka thënë ai gazetës.
Megjithatë, në kuadër të një axhende të publikuar më parë, shefi i OKB-së do të vizitojë shtatë shtete të rajonit. Në të gjitha vendet do të qëndrojë nga një ditë. Vizitën në Beograd dhe Prishtinë shefi i OKB-së ka planifikuar ta bëjë brenda një dite.
Shefi i OKB-së planifikon që të arrijë në Slloveni më datën 19 korrik. 20 korriku do të jetë dita e vizitave zyrtare në shtetin slloven. Në Kroaci, shefi i OKB-së do të qëndrojë dy ditë. Ditën e parë, më 21, do ta ketë ditë pushimi, ndërkaq takimet zyrtare do t`i bëjë më 22. Mali i Zi është shteti ku Ban Ki-moon planifikon të shkojë pas vizitës në Kroaci. Atje do të qëndrojë më 23 korrik. Data 24 do të jetë dita e takimeve në Beograd e Prishtinë, ndërkaq më 25 dhe 26 do të vizitohen Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Sarajeva pritet të jetë kryeqyteti i fundit në turneun që Ban Ki- moon pritet të ketë në rajon.
Nuk ka asnjë njoftim për vizitë në Tiranë.

(gk/shqiptarja.com)