Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj deputetit Agron Shehaj, i cili dje arriti të vjedhë nga Kuvendi një dokument sekret, marrëveshjen ushtarake Shqipëri-SHBA, e cila më pas u miratua me votat e socialistëve.
Në reagimin e tij, Braçe akuzon Shehajn se ka shkelur protokollet e ruajtjes së dokumenteve të klasifikuara, duke e cilësuar veprimin e tij si "krim". Ai thekson se një deputet mund të njihet me një dokument të klasifikuar, por nuk ka të drejtë ta disponojë, kopjojë apo fotografojë atë.
Braçe dënon gjithashtu sulmet në rrjetet sociale ndaj nëpunëses publike përgjegjëse për ruajtjen e dokumentit, duke i cilësuar ato një tjetër shkelje të rëndë. Sipas tij, burimi i kësaj fushate urrejtjeje është vetë Shehaj.
Deputeti socialist akuzon gjithashtu Shehajn për ushtrim dhune ndaj nëpunëses, duke pretenduar se ai e shtyu dhe e goditi me bërryl për t'u larguar, pa i dhënë ndihmë pasi ajo u rrëzua në shkallë.
Reagimi i plotë i Erion Braçes:
Marrëveshja më e rëndësishme ushtarake me Amerikën në 114 vite të shtetit shqiptar;
Banaliteti i përditshëm që e bën qesharake politikën dhe pyetja 36-vjeçare – kur do të bëhemi seriozë?;
Urrejtja online ndaj një nëpunëseje publike që dëshmoi sa qesharake është politika;
Kultura e ligjit që nuk ekziston në këtë vend!
Shkurt:
Marrëveshja ushtarake me SHBA është marrëveshja më e rëndësishme në këtë fushë me Amerikën në 114 vite të shtetit shqiptar; dëshmon jo vetëm nivelin e bashkëpunimit ushtarak – jo të gjithë e kanë këtë – por nivelin e marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerin strategjik jetik të saj. Banaliteti “po blejnë Samitin e NATO-s” dhe çdo dezinformim tjetër afërmendsh është sulm ndaj marrëveshjes në emër të çdokujt që nuk e do këtë marrëdhënie.
Akti i sotëm në Kuvend, në shkelje të protokollit të ruajtjes së një dokumenti të klasifikuar – deputeti njihet me të, por nuk mund ta disponojë atë, nuk është i tij as si i tillë, as si kopje, as si foto – është krim; banaliteti i një deputeti, i banalitetit të politikës, nuk e relativizon si krim, as e bën të tolerueshëm, përkundrazi!
Urrejtja online ndaj një nëpunëseje publike, e ngarkuar me përgjegjësi për ruajtjen e një dokumenti të klasifikuar, është një tjetër krim, për më tepër kur ushtrohet nga gra kundër një gruaje; është tmerr. Ka këtë deputetin si burim – ai zotëron një armë urrejtjeje për sulm ndaj kujtdo dhe për mbrojtje të byçës së tij; urrejtja që përhapi këtë herë dhe që bëhet e gjithkujt në nivelin e tij, kërkoi të relativizonte krimin e tij, por edhe bulin që është kur në fillim e shtyn, e godet me bërryl për t’i ikur dhe as kthehet t’i japë ndihmë kur ajo copëtohet kur bie nga ato shkallë!
Të merresh me pamjet dhe aspak me aktet e një deputeti, përfshi edhe dhunën ndaj një gruaje, natyrisht është e padrejtë, në kuadër të relativizimit të krimit të deputetit!
Komente









