Arjan Bylykbashi, vëllai i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashit, është nga dita e sotme drejtori i ri i Hipotekës.

Emërimi i tij në këtë detyrë u bë pasi Kryeministri Rama firmosi propozimin e PD-së, pjesë e marrëveshjes politike të arritur në datën 18 maj.

Megjithatë, emërimi i Bylykbashit në këtë detyrë pritet të ngjallë shumë polemika, për shkak të problemeve që ai ka pasur në të shkuarën me ligjin.

Në vitin 2004, në kohën kur ai mbante detyrën e drejtorit juridik në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Arjan Bylykbashi u arratis nga Shqipëria pasi u shpall në kërkim nga Prokuroria për shkak të akuzës së “shpërdorimit të detyrës”.

Mandati i arrestit u lëshua ndaj Bylykbashit pasi dyshohej se ai ishte i përfshirë në një skandal korrupsioni, ku në këmbim të parave bënte të mundur afrimin e datës së lirimit të të dënuarve.

Prokuroria hartoi atëherë një dosje kundër tij, në të cilën figuronin 30 emra të burgosurish, të liruar nga burgu në mënyrë të kundraligjshme falë manipulimeve të bëra nga Bylykbashi.

Gjithashtu, Bylykbashi është përfshirë edhe në një çështje tjetër gjyqësore, kur një qytetare e denoncoi për tentativën e zhvatjes së tokës dhe kërcënimet e përsëritura që drejtori i ri i ZRPP-së bënte kundrejt saj.

Altina Çaço çoi çështjen në Gjykatën e Lartë, pasi sipas saj Bylykbashi i shkruante në mënyrë të përsëtitur: “O e prish shtëpinë tënde, ose nuk iki. Nuk e njoh fare legalizimin!!”. 

Rasti është denoncuar në Shqiptarja.com nga nëna e Altina Cacos, Dhurata Shyti, e cila ka pohuar se prej disa vitesh janë në proces gjyqësor me djemtë e Hava Llozit, të cilës ja kanë blerë truallin, ku momentalisht është ndërtuar banesa./lexo.al

Rama emëron drejtorin teknik të Hipotekës, Arjan Bylykbashi
Kryeministri Edi Rama ka firmosur emërimin e drejtorit të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Arjan Bylykbashi, propozim ky të opozitës, pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha.  

Bylykbashi ka mbajtur deri në 2013-ën detyrën e Drejtorit të Përmbarimit në Tiranë, ndërsa është larguar nga ky post pas ardhjes së socialistëve në pushtet. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com