TIRANE- Çdo shoferi të autoveturave, i gjobitur për mungesën e fikëses së zjarrit në automjetin e tij dhe jelekut fosforeshent, do t’i anulohet gjoba. Këtë e konfirmon në një intervistë për “A1 Report” drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore Mitat Tola. Në një kohë kur shumë prej drejtuesve të mjeteve kanë ngritur shqetësimin për kutinë e ndihmës së shpejtë, Tola i bën apel qytetarëve të mos bien preh e abuzuesve, por të tregohen të kujdesshëm duke respektuar nenin 72 të Kodit Rrugor.
 
“Qëllimi madhor është parandalimi i aksidenteve rrugore, sigurimi i jetës së shtetasve dhe kalimi i lirë. Do doja të mos hyja në lojën apo në vallen e atyre që duan të tregtojnë këto mallra. Drejtuesit e mjeteve janë të lutur që në rast se ka patur punonjës së policisë rrugore që mund të jenë ndëshkuar për të tilla raste, zyrat tona janë të hapura, gjithandej mund të ankohen, dhe gjobat për këtë shkelje do bëhen zero sepse nuk ekzistojnë në Kodin Rrugor. Janë të detyrueshme kutia e ndihmës së shpejtë dhe trekëndëshi, që janë të domosdoshme”, tha Tola.
 
Drejtuesi i Policisë Rrugore ndalet dhe në debatin e gjobës prej 40 mijë lekë nëse kalon semaforin me të kuqe.
 
“Në Kodin Rrugor nuk janë të parashikuara, në mënyrë taksative fikësja e zjarrit dhe jeleku. Në morinë e 450-500 mijë drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në Shqipëri, janë ndëshkuar këtë 9-mujor diku te 1750 persona që kanë shkelur semaforin e kuq. Që nuk duhet të merakosemi për 1750 drejtues mjeti që në sytë e 450-500 mijë drejtuesve e thyejnë në mënyrë të dukshme semaforin. Vetëm nga 2009 deri në 2014 që flasim sot, ne kemi regjistruar vetëm kryqëzime mosrespektimi i sistemit të sinjalizimit vertikal, 59 raste me pasojë fatale, me plagosje të rëndë me pasojë vdekje”, u shpreh Tola.

mitat tola
 
Tola ndalet dhe tek stina e dimrit duke bërë publike një sërë masash që ka ndërrmarë policia rrugore në bashkëpunim me pushtet lokale dhe drejtorin e rrugëve.
 
“Shërbimi i policisë rrugore edhe këtë vit ka përgatitur planet e respektimit të masave për çdo aks rrugor që vitet e kaluara është prekur nga reshjet e dëborës, sigurimi i sasive të nevojshme të kripës ose të elementeve të tjerë që mundësojnë kalimin e lirë të mjeteve”, tha Tola.

trekendeshi
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)