Opozita ka në dorë një nga dosjet më të rënda për qeverinë Rama, por duke sulmuar Altin Dumanin po dobëson vetë kauzën e saj. Kështu e lexon Kreshnik Spahiu qëndrimin e opozitës pas vendosjes në arrest shtëpiak të drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.

Gjatë analizës së tij në emisionin 'Studio Live' në Report TV, Spahiu tha se SPAK i ka dhënë opozitës një çështje me të cilën mund të kërkojë përgjegjësi politike nga qeveria por sulmet e PD-së ndaj ish kreut të Prokurorisë së Posaçme, po i japin Ramës hapësirë, në mos oksigjen të qëndrojë në pushtet.

“Opozita është në të drejtën e vet të shfrytëzojë ccdo lloj akuze. Nuk ka moment më të mirë historik për një opozitë. Madje e mendoj që e ka shfrytëzuar pak. Nëse do të kishim një opozitë të fortë do të kishim rotacion politik. Deri dje opozita e ka akuzuar SPAK si bandë kriminale. Kjo bandë kriminale sot i ka sjellë në dorë dosjen historike të Shqipërisë. Opozita duhet të thotë që ky Altin Dumani që Meta e ka quajtur ‘dumdumani’ ndërsa Berisha e ka quajtur ‘Altin Troplini’, ka hyrë në histori, sepse sot ka dosjen për të cilën këta thonë se shteti ka rënë. Nga kush ka rënë shteti? Nga Altin Troplini që u ka çuar të gjithëve fletë arresti? Opozita shqiptare për këtë arsye është në opozitë dhe nuk bie qeveria. Kjo opozitë i jep çdo ditë oksigjen qeverisë Rama dhe është në funksion të zgjatjes së mandatit të tij. Ky njeri sulmon cdo ditë atë që duhej ta kishte aleat. Është e pafalshme që opozita i ka hequr mundësinë popullit për rotacion dhe godet këtë prokurori që ka hyrë në histori me këto dosje penale. Është e rrallë të arrestosh një kryetar të SHISH në detyrë. Sot opozita duhet të na japë shpjegim si mundet që Altin Dumani e bëri këtë. Duhet t’i kërkojnë falje publikisht Altin Dumanit” tha Spahiu. 


Lajmi kryesor:

Mesazhet e Vlora Hysenit me Ergys Agasin, Spahiu në Report TV: Banalitet që dëmton imazhin e Shqipërisë në NATO!