Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, paraqiti në Kuvend projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një reformë që synon të transformojë rrënjësisht mënyrën se si ofrohen shërbimet për qytetarët në arsim. Ministrja theksoi se ndryshimi nuk është i papritur, por rezultat i një procesi të gjatë reflektimi.

“Do të kemi një partner shumë prestigjioz, siç është Qendra e Vlerësimeve e Universitetit të Kembrixhit – të cilët do të shoqërojnë ngritjen e Agjencisë së re në procesin e teknologjisë dhe të trajnimeve disavjeçare. Veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore do të mbikëqyret nga Ministria e Arsmimit, e cila do të ketë për detyrë të verifikojë zbatimin korrekt të politikave dhe strategjive kombëtare në fushën e arsimit. Në projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, parashikohet drejtimi nga një këshill drejtues i cili është një ndër instrumentet me të cilët administrohen agjencitë autonome. Ky këshill do të drejtohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe vendimet më të rëndësishme të Këshillit, që kanë të bëjnë me buxhetin, pagat, dhe tarifat për shërbimet publike, do të kalojnë dhe në një filtër tjetër dhe do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Kumbaro.

Menjëherë pasi ajo përfundoi prezantimin, Luçiano Boçi bllokoi për disa minuta foltoren, akt për të cilin u qortua prej kryetarit Niko Peleshi.

“Nuk merret fjala kështu, ju lutem. Fjala nuk merret me vullnetin tuaj, merret sipas rregullores. Keni kërkuar fjalën për çfarë? S’është seancë pyetje-përgjigje, për replikë s’ju ka përmendur, s’keni replikë. Ju nuk e dini për çfarë e doni fjalën dhe kërkoni nga unë fjalën? Si merret fjala në parlament kur të duash?”, i tha kryeparlamentari duke i kërkuar të largohej nga foltorja.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Tensione në Kuvend/ Boçi merr ‘peng’ foltoren, Peleshi e përjashton nga seanca! Opozita braktis sallën