MITROVICE- Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë zgjedhur kryetarët e kuvendeve komunale, pak para përfundimit të afatit ligjor për zgjedhjen e këtyre kryetarëve.

Në komunën e Mitrovicën e veriut, për kryetare të Kuvendit komunal është zgjedhur Ksenija Bozhoviç nga Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” e Oliver Ivanoviçit.

Për kryetar të kuvendit komunal të Zubin Potokut është zgjedhur Nemanja Jakshiç nga Iniciativa qytetare Serbe. Nga kjo iniciativë është zgjedhur edhe Zoran Todiç në Leposaviq.

Ndërkaq, Darko Radovanoviç nga Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia drejtësia” është zgjedhur në Zveçan.

Megjithatë, debati më i zëshëm është zhvilluar në Kuvendin komunal të Mitrovicës së veriut.

Pas një debati disaorësh, në mbrëmjen e ditës së hënë, me 10 shkurt, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së veriut ka zgjedhur kryetaren Ksenija Bozhoviç, e cila menjëherë pas zgjedhjes tha se edhe më tutje subjekti prej nga vjen ajo do të angazhohet për lirimin e liderit të saj Oliver Ivanoviç.

Zgjedhja e Bozhoviçit për kryetare të Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, ka pasuar si rezultat i koalicionit ndërmjet Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia” dhe Iniciativës qytetare Serbe.

Autoritetet e Beogradit, me herët patën paralajmëruar se pas zgjedhjes së organeve udhëheqëse të komunave në veri të Kosovës, do të formohet Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Në anën tjetër, me 23 shkurt, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut, pas refuzimit të këtij mandati nga kryetari i zgjedhur me balotazh, me 3 nëntor, Kërstimir Pantiç.

Marrë nga "Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)