TIRANE -  Qeveria ka marrë vendimin për krijimin e një fondi financiar që do të shërbejë si mbështetje për gratë sipërmarrëse, si dhe për bizneset e reja. Në vendim saktësohet se fondet do të jenë të ndara në katër vite ndërsa Qeveria do të marrë përsipër të paguajë deri në 50 për qind të interesave. Por se për të përfituar do të duhet që të paraqiten projekte në fushat e përcaktuara në vendim.

Gratë sipërmarrëse
Fondi për gratë sipërmarrëse do të jetë 26.500.000 lekë. Gjithsesi theksohet se fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, përveç buxhetit të shtetit të parashikuar si më sipër, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. “Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse ka për qëllim subvencionimin e normës së interesit të kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat drejtohen nga gratë si pronare apo administrator”, thuhet në vendim. Kjo skemë konsiston në pagesën e interesave për kreditë e marra nga gratë dhe që do të përdoren për investime në biznes. Ndihma financiare do të mbulojë 50 % të normës së interesit, për 4 vite radhazi, dhe jo më shumë se një milion lekë për një kredi.

Por projektet do të jenë për fusha të sektorit prodhues dhe të shërbimit, sektorin e industrisë së lehtë, kryesisht në industrinë e përpunimit aktiv fason; sektorin e turizmit, fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, procesin e agropërpunimit dhe fushën e disenjimit, modelimit, artizanatit. Përfitimi i këtyre ndërmarrjeve nga fonde të akorduara nga donatorët  apo institucione financiare ndërkombëtare nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond.

Të rinjtë
Për sipërmarrjet e reja qeveria ka krijuar fondin “Start-up”, me vlerë të përgjithshme njëzet e pesë milionë lekë. Sipërmarrje e re ose “Start-up” do të konsiderohet një kompani e sapokrijuar dhe në kërkim të tregjeve. Përfituesi nga ky fond, do të ketë hapësirë që të thithë investime dhe nga projekte të tjera. Fondi ka për qëllim dhënien e ndihmës financiare në mbështetje të sipërmarrjeve të reja, ndërmarrje mikro dhe të vogla, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në sektorët prodhues dhe të shërbimit, sektorin e industrisë së lehtë, sektorin e turizmit, fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, procesin e agropërpunimit dhe fushën e disenjimit, modelimit, artizanatit.

Fondi mbulon 70% të kostove të pranuara dhe të miratuara nga Komisioni Vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, por jo më shumë se treqind mijë lekë. Në kostot e pranuara, përfshihen “investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit; marketing të produktit dhe promovim; kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive sipërmarrëse; krijim faqeje interneti e publikime materialesh promovuese; pjesëmarrje në panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues”.


Vendimi i plote i Keshillit te Ministrave per grate sipermarrese

KRIJIMIN E FONDIT NË MBËSHTETJE TË GRAVE SIPËRMARRËSE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, shkronjat “a”, “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, 7 e 8, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Krijimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, me vlerë të përgjithshme  26 500 000 (njëzet e gjashtë milionë e pesëqind mijë) lekë, për një periudhë zbatimi për 4 (katër) vjet. Fondi i krijuar fillon të zbatohet në vitin 2014 me këtë shtrirje kohore dhe sipas vlerave të mëposhtme:
 
a) Për vitin 2014, vlera e fondit të jetë 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.
b) Për vitin 2015, vlera e fondit të jetë 5 000 000 (pesë milionë) lekë. 
c) Për vitin 2016, vlera e fondit të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë. 
ç)  Për 2017, vlera e fondit të jetë 9 000 000 (nëntë milionë) lekë.
 
2.  Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, përveç buxhetit të shtetit të parashikuar si më sipër, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.
  
3.  Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse ka për qëllim subvencionimin e normës së interesit të kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat drejtohen nga gratë si pronare apo administratore.
 
4. Kjo skemë konsiston në pagesën e interesave për kreditë e marra nga gratë dhe që do të përdoren për investime në biznes. Ndihma financiare do të mbulojë 50 % të normës së interesit, për 4 (katër) vite radhazi, dhe jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për një kredi, për ndërmarrjet që do të ushtrojnë veprimtaritë e tyre në:
                                                                                                               
a)  sektorët prodhues dhe të shërbimit;
b) sektorin e industrisë së lehtë, kryesisht në industrinë e përpunimit aktiv (fason);
c)  sektorin e turizmit;
ç)  fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
d)  procesin e agropërpunimit;
dh)  fushën e disenjimit, modelimit, artizanatit.
 
5.  Përfitimi i këtyre ndërmarrjeve nga fonde të akorduara nga donatorët  apo institucione financiare ndërkombëtare nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond.
 
6. Gëzojnë të drejtën për të përfituar nga kjo skemë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të drejtuara nga gratë, të cilat janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit e zhvillojnë veprimtari në fushat e përcaktuara sipas pikës 4, të këtij vendimi, dhe që plotësojnë, veçanërisht, kushtet e mëposhtme:
 
a) Të jenë ndërmarrje, të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar.
b) Të kryejnë aktivitet tregtar për jo më pak se 12 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.
c) Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit.
ç)  Në planin e tyre të biznesit të parashikohet krijimi minimalisht i 1 (një) deri në 3 (tre) vendeve të reja të punës brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit.
d) Të prodhojnë produkte ose të ofrojnë shërbime, që tregtohen apo që mund të tregtohen në nivel ndërkombëtar dhe që gjatë procesit i japin një vlerë të shtuar, të konsiderueshme, produktit përfundimtar.
dh) Të argumentojnë se aktivitetet që propozohen për mbështetje nga fondi janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, nëpërmjet:
 
i. një vlerësimi mbi përfitimet e biznesit nga përmirësimi, në bazë të të cilit do të zhvillohen aktivitetet e propozuara;
ii. një plani biznesi ose një projekti duke argumentuar sa më sipër, i cili do të integrohet dhe do të materializohet më tej nga aktivitetet e propozuara. 
e) Të garantojnë  për zbatimin e duhur dhe në kohë të aktiviteteve të propozuara.
 
7. Në projektet që aplikohen duhet të identifikohen dhe të përshkruhen detyrimisht: 
 
a) qëllimi i projektit;
b) termat e referencës për të gjitha aktivitetet që duhen nënkontraktuar; 
c) mënyra e menaxhimit të projektit, sistemit të monitorimit dhe vlerësimit;
ç)  në mënyrë të hollësishme veprimtaritë që do të kryejnë; 
d)  indikatorët e verifikueshëm; 
dh) buxheti i detajuar, duke përfshirë burimet financiare dhe/ose të ardhurat;
e) rezultatet e pritshme.
 
8. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, përfitojnë nga kjo skemë vetëm një herë.
 
 9.  Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin e fondit që do të përdoret për subvencionin e interesave të kredive dhe për të lidhur marrëveshje me institucionet e mikrokredisë si:
 
a) institucionet financiare jobankare;
b) dhe/ose shoqëritë e kursim-kreditit me qëllim disbursimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse.
 
10. Procedurat dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, e cila miratohet me urdhër të ministri përgjegjës për ekonominë.
 
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
 
12. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për zbatimin e këtij vendimi.
 
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)